Maqedoni

Lëvizja BESA kërkon ripërsëritje në njësinë 2 dhe 6

13.12.2016 18:00

Lëvizja BESA ka dorëzuar ankesa deri te KShZ për parregullsitë të cilat i kanë regjistruar gjatë votimit në njësinë 2 dhe 6 zgjedhore...

Ata konstatojnë se në disa vendvotime në rrethinën e Likovës, Haraçinës dhe malësinë e Tetovës rezultati përfundimtar nuk e pasqyron vullnetin e lirë të qytetarëve. Lëvizja BESA kërkon ripërsëritje të procesit zgjedhor në vendvotimet e kontestueshme për ta.
 
“Ne kemi konstatuar se ka pasur parregullsi të mëdha gjatë gjithë kohës nëpër korridore e disa vendvotimeve dhe janë lëvizur njerëz të paautorizuar, kanë bërë presion ndaj votuesve dhe kjo ka ndodhur gjatë gjithë ditës së votimit. Ka pasur votim familjar, ndërsa në fund të procesit zgjedhor anëtarët e komisionit nuk i kanë prerë fletët e votimit me gërshërë, ashtu siç është dashur me përputhjen me ligjin dhe për këtë janë arsyetuar se nuk kanë gërshërë. Dhe gjithashtu ka pasur raste kur nuk u është venduar vulë disa fletëvotimeve me qëllim që më vonë të shpallen si të pavlefshme. Ne konstatojmë se në këto vendvotime ku ka pasur keqpërdorime flagrante patjetër të përsëritet procesi zgjedhor”,- deklaroi Blerim Sejdiu nga Lëvizja BESA.
 
Nga Lëvizja BESA thonë se me mospërputhjen e rezultateve të tyre me ata të KShZ-së ata kanë humbur nga një mandat në njësinë e  parë dhe të gjashtë zgjedhore. 
 
REXHEP QAMILI