Siri, rebelët presin evakuimin nga Alepo

14.12.2016 10:59

Ende nuk ka mbërritur momenti final që do t'i jepte fund konfliktit 4-vjeçar të Sirisë....

Ende nuk ka mbërritur momenti final që do t'i jepte fund konfliktit 4-vjeçar të Sirisë.

20 autobusët qeveritarë mbërritën që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në pjesën lindore të Alepos, me shpresën se tani është koha për të transportuar luftëtarët rebelë që presin evakuimin nga zonat e luftimeve.

Por, akoma nuk është e qartë pse ky proces po vonon. Një zyrtar i opozitës fajësoi militantët shiitë, aleatë të presidentit Bashar al-Assad.

Të gjithë duket se i kanë sytë nga marrëveshja e cila mendohet se do t’i japë fund më shumë se katër vjet luftimesh të ashpra në qytetin sirian.

Edhe pse autobusët kanë mbërritur në zonën e gjunjëzuar nga lufta, koha se kur dhe rruga e tërheqjes rebele mbeten ende pista të paqarta.

Ditën e martë, Rusia, një aleat kyç i presidentit sirian Bashar al-Asad, njoftoi se ndërhyrja ushtarake kishte përfunduar.

Moska shtoi se trupat qeveritare kanë rivendosur kontrollin në zonat e fundit të mbajtura nga rebelët. Rebelët morën goditjet finale dy javët e fundit, pas një ofensive të madhe të forcave qeveritare të mbështetura nga fuqia ajrore ruse.

Duket se Asadi e fitoi Alepon, qytetin e dytë më të madh në vend, por i mbetet punë e madhe për të marrë në duar gjithë Sirinë. Megjithatë, Asadi është larg këtij objektivi.

Zona të mëdha të vendit mbeten në duart e grupeve të armatosura, duke përfshirë Shtetin Islamik, i cili këtë javë arriti të rimarrë sërish qytetin antik të Palmirës nga duart e ushtrisë siriane.