KShZ, sonte në mesnatë përfundon afati për parashtresat zgjedhore

14.12.2016 12:05

Deri tani në KShZ janë paraqitur 16 parashtresa, të cilat kanë të bëjnë me procesin e votimit....

Deri tani në KShZ janë paraqitur 16 parashtresa, të cilat kanë të bëjnë me procesin e votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor njoftoi se LSDM-ja dhe Koalicioni i udhëhequr nga ajo ka paraqitur tetë ankesa. Nuk ka informacione se për cilat zona janë këto ankesa dhe se për cilat komuna, pasi ekipi që i paraqiti ankesat nuk dha asnjë shpjegim për këtë. Edhe BESA ka paraqitur  tetë parashtresa.

“Parashtresat e BESËS kanë të bëjnë me komunën e Haraçinës, Tetovës, Likovës dhe Gazi Babës”,- tha zëdhënësja e KShZ-së, Arijeta Xhemaili.

KShZ është e obliguar të vendosë sipas ankimimeve në afat prej 48 orësh pas pranimit.

Kundër vendimit të KShZ-së mund të parashtrohet padi deri te Gjykata Administrative në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit. 

Gjykata Administrative megjithatë pas ankesës është e detyruar të marrë vendim në afat prej 48 orësh pas pranimit të saj.

KShZ mundet sipas detyrës zyrtare ose sipas ankimimit të parashtruar me vendim ta anulojë votimin në vendvotim në raste të caktuara, të konfirmuara me Kodin zgjedhor.

Kundër vendimit me të cilin anulohet votimi, mund të parashtrohet ankesë deri te Gjykata Administrative në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit.

Gjykata Administrative është e detyruar sipas ankesës të veprojë në afat prej 72 orësh pas pranimit të saj. Votimi i sërishëm në vendvotim ku është anuluar mbahet pas 14 ditësh nga dita e votimit të parë.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve KShZ-së duhet t'i kumtojë më së voni deri më 20 dhjetor, pasi të kalojnë afatet e ankimimeve dhe vendosja për to.