Botë

Fëmijët refugjatë, ekspertët: Pre e lehtë e trafikantëve

14.12.2016 15:12

Gjithnjë e më shumë, mijëra fëmijë refugjatë pa përkujdesje prindërore transitojnë rrugëve të Ballkanit dhe Europës...

Në Maqedoni prej fillimit të krizës së refugjatëve kanë kaluar rreth 10 mijë fëmijë të pashoqëruar që u largohen zonave të konfliktit. Mijëra të tjerë enden pa adresë rrugëve të botës.
 
Ekspertët e të drejtave të njeriut druajnë se këta fëmijë mund të jenë kthyer në pre të trafikantëve të qenieve njerëzore.
 
“Është e palejueshme që Maqedonia, si nënshkruese e Konventës për të drejtat e fëmijëve, të lejojë hyrjen e fëmijëve të pashoqëruar. Është e turpshme gjithashtu për gjithë shoqërinë ndërkombëtare të lejojë që 10 mijë fëmijë të zhduken nga harta e transitimit, të bëhet kontrabandë me këta dhe të mos të dihen se ku gjenden”,- deklaroi Dragi Zmijanec nga Ambasada e fëmijëve “Megjashi”.
 
Avokatët e popullit nga vendet e Ballkanit thonë se çdo shtet duhet të përforcojë regjistrimin e refugjatëve nëpër kufij dhe të krijojë kushte të veçanta dhe mbrojtjen e fëmijëve të pashoqëruar.
 
“Është dëshpërues fakti që prej fillimit të krizës së refugjatëve deri tani janë regjistruar prej 8 deri më 10 mijë fëmijë refugjatë të pashoqëruar që kanë transituar përmes vendit tonë. Në shtëpinë e sigurimit për momentin janë vendosur pesë fëmijë refugjatë, prej të cilëve vetëm një është i pashoqëruar dhe ka ardhur vetë deri këtu”,- tha Jelena Beseviç nga “Save the Children”.
 
“Të gjitha fëmijët refugjatë kanë të drejtë për arsim, të mos pengohen gjatë transitimit të tyre dhe të gëzojnë të drejtën e përkujdesit”,- theksoi Vaska Bajramovska nga zyra e Avokatit të Popullit.
 
Përfaqësuesit e zyrave të avokatëve të popullit dhe shoqatave për mbrojtjen e fëmijëve, të mbledhur në një konferencë në Shkup, ngritën shqetësimin se numri i fëmijëve refugjatë që transitojnë përmes Ballkanit do të rritet në të ardhmen. Për t’i mbrojtur këta fëmijë, bota duhet të reagojë në zemër të vendeve në konflikt, prej nga këta fëmijë largohen.
 
REXHEP QAMILI