Botë
Alepo, ndërpritet armëpushimi, civilët sërish në rrezik, Erdogan: Cili duhet të jetë çmimi që bota të ndërhyjë
14.12.2016 15:43
Dhuna e cila eskaloi në varrezë masive për shpirtrat e pafajshëm të atyre që ju mohua e drejta për të jetuar...

Dhuna e cila eskaloi në varrezë masive për shpirtrat e pafajshëm të atyre që ju mohua e drejta për të jetuar, e në veçanti fëmijëve, duket se nuk ka fund. Vetëm disa orë pasi forcat qeveritare lajmëruan se kishin vendosur një armëpushim në qytetin e Alepos, përplasjet e armatosura mes palëve kanë rinisur, duke pezulluar në këtë mënyrë edhe marrëveshjen për evakuimin paqësor të rebelëve.
Mijëra qytetarë të Alepos janë bllokuar brenda zonës së zjarrit. Të paktën shtatë civilë e humbën jetën sot në granatimin kryengritës në dy kuartet nën kontrollin e forcave siriane.
“Kurrfarë marrëveshje për Alepon nuk mund të arrihet pa analizën e plotë të situatës në fushëbetejë dhe çështjet humanitare në rajone të ndryshme”,- paralajmëron Hezbollahu.
Sipas marrëveshjes, është paraparë që qytetin ta braktisin 15.000 persona, prej të cilëve 4.000 kryengritës. Forcat opozitare fajësojnë qeverinë siriane dhe aleatët për rifillimin e bombardimeve.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se rezistenca e rebelëve do të marrë fund brenda dy apo tre ditëve dhe se kjo ishte kundërpërgjigje ndaj sulmeve të tyre. Zyrtarët e Aleancës ushtarake që luftojnë në mbështetje të Assadit nuk komentojnë arsyet për shtyrjen e evakuimit.
Turqia fajëson forcat e Qeverisë siriane se po pengojnë marrëveshjen. Presidenti turk, Erdogan, i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë OKB-së që, sipas tij, po shikon pa bërë asgjë.
“Ne jemi të gatshëm t’i pranojmë ata që do të largohen nga Alepo. Kombet e Bashkuara ku jeni ju? Ne jemi të gatshëm të japim tërë mbështetjen tonë. Ne jemi duke krijuar kushte për zonë të sigurt. Ne po përpiqemi maksimalisht. Turqia, shpresa e të pafajshmëve, asnjëherë nuk i ka lënë qytetarët e Alepos dhe asnjëherë nuk do t’i lë. Cili do të jetë çmimi para se ne do të bëjmë atë që duhet të bëjmë, të shpëtojmë jetë të njerëzve të pafajshëm”,- deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Sulmet janë dënuar menjëherë edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila u ka bërë thirrje palëve që t’i përmbahen marrëveshjes së arritur.
Sipas Observatorit sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, së paku 53 civilë, përfshirë 16 fëmijë, janë vrarë ditët e fundit nga sulmet ajrore, në shënjestër të të cilave ishte vendbanimi Okajrabat, nën kontroll të “Shtetit Islamik”, dhe disa fshatra të afërta.
LEUNORA KALIQI
