Maqedoni
Kasami: koalicion të zgjeruar, pastaj zgjedhje të reja
14.12.2016 15:57
Situata e krijuar pas 11 dhjetorit mund të zgjidhet nëse katër partitë më të mëdha parlamentare ose të gjithë partitë parlamentare votojnë një qeveri reformatore...

Situata e krijuar pas 11 dhjetorit mund të zgjidhet nëse katër partitë më të mëdha parlamentare ose të gjithë partitë parlamentare votojnë një qeveri reformatore, e cila do të ketë disa detyra të caktuara, siç është rikthimi i vendit në normalitet, organizimi i zgjedhjeve të reja dhe më pas mundësia e themelimit të një qeverie politike.
Ky është vlerësimi i kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, sipas të cilit këto zgjedhje duhet të jenë urë për daljen nga kjo krizë politike dhe kthimit të shtetit në normalitet.
“Ne si Lëvizje BESA do kishim dashur që të bëhet një qeveri e koalicionit të gjerë, e cila do të kishte disa pika të caktuara, të implementojë me një afat të caktuar me qëllim që Maqedonia t’i rikthehet normalitetit dhe pastaj të mund të organizohen zgjedhje të reja dhe të krijohet mundësia e themelimit të një qeverie politike”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
Sipas tij, BESA do të pranonte çdo lloj kombinatorikë tjetër, por vetëm nëse është në drejtim të plotësimit të pikave të platformës së Lëvizjes BESA.
“Maqedonia duhet t’i kthehet normalitetit, pasi situata aktuale është tepër kritike”,- thotë Kasami.
SANIJE DURAKU
