Maqedoni

Mbaroi afati për kundërshtime, LSDM dhe BESA parashtrojnë nga 8 kundërshtime

14.12.2016 16:12

Në mesnatë mbaroi afati për parashtrimin e kundërshtimeve nga partitë politike...

Në mesnatë mbaroi afati për parashtrimin e kundërshtimeve nga partitë politike, të cilat morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Gjatë këtij afati kundërshtime kanë parashtruar LSDM dhe Lëvizja BESA, të dyja nga tetë kundërshtime, ose 16 në total. 
 
“Në arkivin e KShZ-së janë dorëzuar tetë kundërshtime nga partia politike Lëvizja BESA dhe tetë kundërshtime nga Koalicioni i kryesuar nga LSDM. Kundërshtimet kanë të bëjnë me procedurën e votimit, ndërsa të tjerat kanë të bëjnë me procedurën e mbledhjes dhe përcaktimin e rezultateve”,- deklaroi zëdhënësja e KShZ-së, Lupka Guguçeska.
 
Konform Kodit Zgjedhor, KShZ ka afat prej 48 orë nga parashtrimi i kundërshtimeve që të vendos për to, veç e veç. Përkatësisht deri të enjten, në orën 24, KShZ duhet të vendos për të gjitha kundërshtimet.
 
Pas vendimeve të KShZ-së për kundërshtimet, parashtruesit kanë të drejtë në padi në Gjykatën Administrative, në afat prej 24 orë, nga momenti i pranimit të vendimit të KShZ-së. Pas kësaj, Gjykata Administrative ka afat prej 48 orë që të marrë vendim për paditë e parashtruara.   
 
“E gjithë procedura për kundërshtimet duhet të mbarojë deri më 18 dhjetor, në orën 24. Sipas Kodit Zgjedhor, KShZ i shpall rezultatet përfundimtare menjëherë sapo të mbarojë procedura për kundërshtime, ose më së voni pas 24 orë, që d.m.th. se më 19 dhjetor, më së voni deri në orën 24, duhet t’i kemi rezultatet përfundimtare”,- tha zëdhënësja e KShZ-së, Lupka Guguçeska.
 
Sipas rezultateve të para nga zgjedhjet që i kumtoi KShZ, VMRO-DPMNE fitoi 51 mandate, LSDM 49, BDI 10, Lëvizja BESA 5, Aleanca për shqiptarët 3, ndërsa PDSh 2 mandate.
 
SHPËTIM NUREDINI