Maqedoni
MPB: Nuk kishim dijeni për aksionin e mbrëmshëm; Prokuroria Themelore: Ishte aksion për bastisje, jo për arrestim; Veliçkoviq: Deshën të më frikësojnë
14.12.2016 16:29
Ministria e Brendshme nuk ka qenë e informuar për bastisjen e mbrëmshme në shtëpinë e shefit...

Ministria e Brendshme nuk ka qenë e informuar për bastisjen e mbrëmshme në shtëpinë e shefit të Sektorit për Punë të Brendshme - Kumanovë, Stojançe Veliçkoviq.
Nga MPB thonë se bastisja është bërë me urdhër të gjykatësit për procedurë parahetimore, nga Departamenti për krim të organizuar dhe korrupsion.
“Aksioni me të cilin është bastisur shtëpia e shefit të SPB-së në Kumanovë S. V., është zhvilluar me urdhër të gjykatësit për procedurë parahetimore, ndërsa është organizuar nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në kuadër të procedurave parahetimore pa njoftimin dhe informimin e MPB-së”,- thuhet në kumtesën e MPB-së, e cila fton pjesëtarët e saj që të veprojnë në mënyrë profesionale.
Edhe Prokuroria Themelore sqaron aksionin e mbrëmshëm për të cilin thotë se ishte aksion për bastisje e jo për arrestimin e shefit të policisë.
“E gjithë bastisja ishte për arsye të gjetjes së gjurmëve për veprën penale ose lëndëve të cilat janë të rëndësishme për procedurën penale dhe marrjen e tyre. Janë marrë lëndët që përmbajnë të dhëna në formë të shkruar dhe elektronike, në lidhje me veprën penale – shoqëri kriminele dhe keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar nga Kodi Penal, por edhe tjera vepra penale për të cilat po ndiqet sipas detyrës zyrtare”,- thuhet në kumtesën e Prokurorisë.
Vetë Veliçkoviq mbrëmë tha se bëhet fjalë për vepër të montuar dhe frikësim.
"Hynë në shtëpi, filluan të kryejnë bastisje, inspektori ishte korrekt, më kumtoi se këtu bëhet fjalë për ndonjë urdhër. Kërkonin disa shkresa tek unë, ato ndodhen në çantën time, ma kontrolluan notesin, që është punë sipas rregullave të secilit shef në secilin sektor",- tha shefi i SPB-së – Kumanovë, Stojançe Veliçkoviq.
Veliçkoviq ishte emëruar shef i SPB-së në Kumanovë dy herë nga ministri i Punëve të Brendshme, OIiver Spasovski.
NAIM RAMADANI
