Maqedoni
“Formimi i qeverisë” - temë debati në “Argument”
14.12.2016 16:41
Me shumë skepticizëm shikohet formimi i qeverisë së re, si pasojë e diferencës së ngushtë midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së...

Publicisti, Emin Azemi, thotë se pikërisht kjo diferencë nuk ofron kushte për formimin e qeverisë së re, por njëkohësisht prodhon edhe krizë.
“Parashikimet e mia janë që në Maqedoni nuk do të kemi qeveri me muaj të tërë. Ky është një skenar. E dyta është që pas disa muajve të përfundohet me bisedime me ndërhyrje ndërkombëtare. Nuk ka zgjidhje tjetër përpos një qeveri ekspertësh apo e zgjeruar. Varianti i tretë, që është shumë i rrezikshëm dhe i mundur, është që të ketë edhe konflikte”,- deklaroi publicisti, Emin Azemi.
Analisti politik, Ibrahim Memeti, thotë se VMRO-DPMNE do të insistojë në formimin e qeverisë, madje edhe me BDI-në, që sipas Mersel Bilallit nuk do të jetë qeveri funksionale dhe stabile.
“Mendoj se ata nuk do të hezitojnë shumë për ta bërë qeverinë, e cila mund të jetë e dobët, e luhatshme, sepse ata e kanë punën ngushtë, kjo është e qartë. BDI sigurisht se është në një situatë shumë të vështirë, sepse nëse shkon kështu, mendoj se në zgjedhjet e ardhshme do ta kenë problem”,- theksoi analisti politik, Ibrahim Memeti.
“Nëse mendohet me logjikën se do të shkojë VMRO me BDI-në, gabim është ajo punë edhe numrat arrijnë në 61 dhe nuk mund të funksionojë ajo qeveri me aq edhe pse mund të fitojë legjitimitetin, por nuk është funksionale. Unë mendoj se loja është shumë më e gjerë se numrat, që ky moment të shfrytëzohet, të pastrohet situata me krimin e organizuar. Këtë e din shumë bukur faktori ndërkombëtar dhe këtë shans nuk do ta lëshojë edhe pse ajo do ta bëjë këtë në mënyrë shumë plastike”,- u shpreh profesori, Mersel Bilalli.
Profesori universitar, Bajram Pollozhani, thotë se çfarëdo qeverie të formohet, e koalicionit të zgjeruar, e ekspertëve, mandati i saj nuk do të jetë i plotë.
“U arrit një prurje demokratike e qëndrueshme dhe natyrisht qeveria që do të zgjidhet tani, çfarëdo qoftë ajo, unë nuk besoj që do të mund të arrijë të bëjë një mandat të plotë për shkak të brishtësisë që do ta ketë dhe për shkak të obligimeve që ka për t’i zgjedhur”,- tha profesori, Bajram Pollozhani.
Një pjesë e votave të shqiptarëve përfunduan në konton e LSDM-së, që sipas analistëve paraqet ndëshkim ndaj partive shqiptare, por edhe përpjekje për të rrëzuar krimin e Gruevskit.
MERAL ISMAILI
