Maqedoni
Shilegov: Gruevski po braktiset nga bashkëpunëtorët
14.12.2016 16:57
LSDM pret që KShZ t’u përgjigjet pozitivisht ankesave të tyre për parregullsi zgjedhore...

Sipas zëdhënësit të LSDM-së, Petre Shilegov, janë evidente e të pakontestueshme parregullsitë e vërejtura.
“Të gjitha ankesat janë për zonën numër 6. Ka shumë parregullsi gjatë procesit të votimit me parregullsi klasike për mosrespektim të procesit të votimin, fleta të tepërta në kuti, një pjesë janë në Tearcë, dhe sigurisht do të vijë deri te prishja e zgjedhjeve. Të zënë në panik, pjesëtarë të VMRO-së do të dalin para KShZ-së që të protestojnë, që në fakt nuk dinë pse protestojnë”,- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
Shilegov, ndërkohë, ka akuzuar VMRO-DPMNE-në për dyfytyrësi. Gruevskin po e braktisin bashkëpunëtorët e tij më të afërt. “Pikërisht ata që u premtuan qytetarëve institucione të forta, të parët e lëshuan anijen e bandës kriminele dhe përgatiten për opozitë”,- thotë ai.
“I pari u tërhoq një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Gruevskit, bartësi i listës, Antonio Milloshovski. Milloshovski, sipas dokumentit të lëshuar dje, do të punojë si noter. Ky është dokument zyrtar nga Ministria e Drejtësisë, sipas të cilit ministri i Drejtësisë një ditë pas zgjedhjeve formoi komision për të verifikuar hapësirën dhe pajisjen me çka do të veprojë noteri i ri, Antonio Milloshovski. Ai gënjeu qytetarët kur ju premtoi që do t’i zbatojë interesat e tyre në institucionet shtetërore. Kjo edhe njëherë tregon dyfytyrësinë e Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij që mendojnë vetëm për interesat personale”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
“VMRO është në panik, regjimi po bie dhe për një kohë të shkurtër do të fillojë realizimi i planit për jetë në Maqedoni, ashtu siç vendosi populli në zgjedhje”,- tha Shilegov.
GAZMEND REXHEPI
