Maqedoni

Spasovski-Remenski: Jemi ende ministra, prisni rezultatet e KShZ-së

14.12.2016 17:43

Ministria e Punëve të Brendshme kumtoi se janë dezinformata dhe spekulime informacionet e publikuara në media të caktuara....

Ministria e Punëve të Brendshme kumtoi se janë dezinformata dhe spekulime informacionet e publikuara në media të caktuara në lidhje me ndërprerjen e mandatit të ministrit, Oliver Spasovski. Oliver Spasovski është ministër legjitim i Punëve të Brendshme, thonë nga MPB.
 
“Konform dispozitave pozitive ligjore, mandatet e të gjithë ministrave dhe zëvendësministrave plotësues në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, të emëruar sipas Marrëveshjes së Përzhinës, përfundojnë në ditën kur KShZ-ja do t’i konfirmojë rezultatet përfundimtare zgjedhore. Duke pasur parasysh atë që në Komisionin Shtetëror Zgjedhor akoma vijojnë procedurat pas ankimimeve të partive politike, nuk janë plotësuar kushtet për shpallje të rezultateve përfundimtare”,- thuhet në kumtesën e MPB-së.
 
Në linjë të njëjtë është edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Tashevska-Remenski, e cila thotë se ajo është ende në funksion dhe i kryen në mënyrë të rregullt obligimet e veta. 
 
“Nëse deri tani zëri dhe fjalët e Nikolla Gruevskit kanë qenë mbi ligjin, atëherë ajo është tjetër problem. Ato që i ka thënë Gruevski nuk janë rezultate përfundimtare. Për atë duhet të dalë me qëndrim KShZ, e cila ende nuk i ka thënë rezultatet përfundimtare. Mandatet tona si qeveri kalimtare do të mbarojnë në momentin kur KShZ do ta thotë fjalën e fundit. Unë kam mandat të plotë dhe rregullisht i kryej detyrimet e mia në ministri”,- deklaroi Remenski.  
 
Sipas marrëveshjes së 20 qershorit, me publikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga ana e KShZ-së, automatikisht iu mbaron mandati ministrave dhe zëvendësministrave plotësues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Administratës dhe Informatikës, si dhe atë të Financave.
 
Funksionin e ministrit deri në formimin e qeverisë së re, pas largimit të Spasovskit dhe Remenskit, duhet ta marrin zëvendësministrat aktual në MPB, Agim Nuhiu, dhe në atë të Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi.
 
ERSAN PAJAZITI