Botë
Masakra El Mozote, ceremoni përkujtimore për viktimat
14.12.2016 20:19
Banorë të një qyteti të vogël në El Salvador organizuan një ceremoni përkujtimore për të gjithë të afërmit e tyre që u vranë 35 vite më parë...

Banorë të një qyteti të vogël në El Salvador organizuan një ceremoni përkujtimore për të gjithë të afërmit e tyre që u vranë 35 vite më parë, në një nga mizoritë më të mëdha të luftës brutale civile të vendit.
Masakra ndodhi në qytetin verilindor të El Mozote në 1981 dhe pretendohet të jetë kryer nga njësitë e ushtrisë elitare, që rezultoi në vdekjen e rreth 1.200 personave, më së shumti gra e fëmijë. Një përkujtimore tashmë qëndron pranë vendit ku viktimat u vranë. Në pllakën memoriale mund të lexohet: “Ata nuk kanë vdekur, ata janë me ne, ata janë me ju dhe me të gjithë njerëzimin”.
Qeveria e vendit ka mohuar për vite kryerjen e kësaj masakre, ndërkohë që sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara në 2012, disa komandantë të lartë të forcave të armatosura dhe ministri i atëhershëm i mbrojtjes, ishin përfshirë në këto operacione.
Shumë nga këto krime mbeten të pandëshkruara, ndërkohë që hetimet janë hapur disa herë. Përgjatë javëve të fundit, ekspertë mjeko-ligjorë kanë qenë të zënë duke zhvarrosur trupat e viktimave. Procesi i analizimit mund të zgjasë me muaj të tërë, por kjo është një detyrë e nevojshme, sipas Silvana Turner, koordinatore e një grupi ekspertësh mjeko-ligjorë nga Argjentina.
“Gjatë kësaj faze, po shoqërojmë dhe monitorojmë punën që po bëjnë prokurori, instituti i mjekësisë ligjore dhe përfaqësuesit e viktimave, në pajtim me vendimin e Gjykatës Ndëramerikane të Drejtësisë. Tani jemi në fazën e fushës, punës arkeologjike, rikuperimit të eshtrave të viktimave dhe provave.” Gjatë fundjavës, në një tjetër fazë të kësaj pune, aktivistët për të drejtat e njeriut dorëzuan mbetjet e identifikuara familjeve të viktimave.
“Na u desh të kërkonim ndihmë tek sistemet ndërkombëtare të drejtësisë sepse sistemi këtu nuk funksiononte në atë kohë. Qeveria tha se kjo nuk kishte ndodhur kurrë, se ishte një zjarr, se ata ishin guerilas, gjëra si këto. Dhe sërish sot, ka njerëz që nuk duan që ne të flasim, por ne gjithnjë do të bëjmë kërkesa. Nëse mund të shkojmë sërish në gjykatë, do ta bëjmë, sepse kemi nevojë të vendoset drejtësia, jo për shkak të urrejtjes. Gjithçka që dua është që brezat e rinj të mos vuajnë si unë,” u shpreh Dorila Marquez, promovuese e të drejtave të njeriut dhe e afërme e një viktime të masakrës së El Mozote. Gjatë ceremonisë përkujtimore të përvjetorit të 35 të masakrës, familjet e viktimave morën eshtrat për t’i varrosur në mënyrë të denjë, me këngë dhe qirinj.
“Konsolidimi i paqes është një proces dhe në këtë rrugëtim paqësor, duhet të gjejmë kohë për të dëgjuar zërat që kërkojnë të vërtetën, drejtësinë dhe rregullimet. Dhe institucionet e shteti, përveç kësaj, kanë detyrimin të na japin përgjigje, krahas detyrimeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut,” u shpreh Alberto Brunori, Komisioneri i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut për Amerikën Qendrore. Lufta civile në El Salvador gjatë viteve 1980 deri në 1992, vuri përballë forcat guerilase të FMLN dhe ushtrinë e vendit, e financuar nga Shtetet e Bashkuara, që shkaktoi 75.000 viktima dhe 8.000 persona që u shpallën të humbur.
