Zgjedhjet në Maqedoni, BE-ja pret epilogun e ankesave dhe parashtresave
Komisioni Europian nuk dëshiron të përgjigjet nëse është në frymën e demokracisë...

Komisioni Europian nuk dëshiron të përgjigjet nëse është në frymën e demokracisë dhe garës politike të mos njihet humbja në zgjedhje të qeta dhe demokratike në Maqedoni, që është konstatim edhe i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it. Megjithatë, nga Brukseli zyrtar i referohen deklaratës së përbashkët të para dy ditëve të përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerinit dhe eurokomisarit për negociata për zgjerim, Johanes Han. Komisioni e mbështet tërësisht vlerësimin preliminar të ODIHR-it të zgjedhjeve dhe zbatimin e tyre.
“Aty ceken rezultatet preliminare, por ta presim epilogun nga proceset e ankesave dhe parashtresave",- theksoi zëdhënësja e eurokomisionit, Maja Kocijançiç.
Përndryshe, në kumtesën e tyre të përbashkët para dy ditëve për zgjedhjet në Maqedoni, Mogerini dhe Han potencuan se "zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në IJR të Maqedonisë kaluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt, me jehonë të mirë të votuesve".
Ata konstatuan se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë element kyç i Marrëveshjes së Përzhinës nga viti 2015 dhe se të njëjtat "i ofrojnë vendit mundësi kyçe për ripërtëritje të dialogut demokratik, konstruktiv për tejkalimin e krizës së gjatë politike dhe bashkim prapa qëllimit të përbashkët të integrimeve euroatlantike".
Përfaqësuesja e lartë e Unionit dhe eurokomisarit gjithashtu kërkuan nga partitë politike në Maqedoni "të veprojnë në një mënyrë inkluzive, që përfshin opozitë aktive parlamentare dhe shoqëri dinamike qytetare".
