Maqedoni

Kumanovë, shtyhet gjykimi kundër Zaevit

15.12.2016 15:11

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, nuk u paraqit në gjykimin në Kumanovë për padinë private të ngritur nga Viktor Cvetkovski...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, nuk u paraqit në gjykimin në Kumanovë për padinë private të ngritur nga Viktor Cvetkovski për publikim të bisedave të paautorizuara në të ashtuquajturat “bomba” të opozitës.
 
Gjykimi u shty pasi Zaev, përfaqësuesi i LSDM-së Mançevski dhe avokati mbrojtës janë të zënë në KShZ, ku diskutohen ankesat e opozitës lidhur me zgjedhjet e së dielës. Paditësi thotë se vendimi pozitiv në favor të tij do t’i jepte fund praktikës së publikimit të bisedave private për qëllime politike. 
 
“Ti japim fund praktikës së tillë në Maqedoni ku dikush për qëllime politike, për të ardhur në pushtet, publikon biseda private me qëllim të diskeditetit të personave të caktuar. Vlerësoj se procese të tilla duhet t’i japin fund këtyre gjërave që në Maqedoni përsëriten shpesh”,- deklaroi paditësi, Viktor Cvetkovski.
 
Cvetkovski kërkon të dijë se përse janë xhiruar dhe më pas publikuar bisedat, madje i ka përkujtuar gjykatësve edhe dënimin që ligji parashikon për raste të tilla.
 
“Ligji është i qartë, për personin juridik parashikohen  dënime në të holla, ndërsa për personat fizikë ka mundësi edhe për dënime më të rënda, që variojnë nga dënimi në të holla deri në dënim me burg”,- theksoi paditësi, Viktor Cvetkovski.
 
Sekretari gjeneral i GROM-it dhe ish funksionari i LSDM-së, Cvetkovski, ka ngritur padi ndaj Zaevit dhe LSDM-së për publikimin e bisedës mes tij dhe ish ministres së Brendshme, Jankullovska, të realizuar në vitin 2013 mes dy rretheve të votimit për zgjedhjet lokale. 
 
Gjykimi i radhës është caktuar për më 20 janar.