Inteligjenca amerikane konfirmon: Putin ndërhyri në zgjedhjet në ShBA
Provat e grumbulluara nga CIA konfirmojnë me një shkallë të lartë sigurie....

Provat e grumbulluara nga CIA konfirmojnë me një shkallë të lartë sigurie përfshirjen e drejtpërdrejtë të Vladimir Putinit në fushatën për zgjedhjet në Amerikë.
“NBC News” citon burime të Shërbimeve Sekrete, sipas të cilave Putin ka dhënë udhëzime se si të gjendet dhe përdoret materiali i hakuar nga serverët e demokratëve.
Ajo që nisi si një hakmarrje personale e liderit të Kremlinit kundër Hillary Clintonit u shndërruar shumë shpejt në një përpjekje të vendosur për të nxjerrë në dritë korrupsionin në politikën amerikane gjatë fushatës elektorale, duke minuar imazhin dhe kredibilitetin e lidershipit të ShBA-së në botë.
Në tetor, 17 agjencitë amerikane të inteligjencës lëshuan një deklaratë përmes së cilës akuzonin Rusinë se qëndronte pas sulmit kibernetik në Partinë Demokratike, kurse tani zbulohen prova të pamohueshme për lidhje mes operacioneve të hakerëve dhe vetë presidentit rus.
Së fundmi CIA zemëroi presidentin e zgjedhur, Donald Trump, duke ngritur hipotezën se Putini kishte kërkuar me forcë fitoren e republikanit, një vizion ky që nuk gjeti plotësisht mbështetje tek FBI-ja dhe agjencitë e tjera të inteligjencës.
NBC sugjeron se Putini nuk ia ka falur kurrë Clintonit vënien në dyshim të zgjedhjeve legjislative ruse në 2011-ën dhe inkurajimin e protestave në shesh në kohën kur ishte sekretare e Shtetit.
