Maqedoni
Stein: Masa të thjeshta për rezultate të mira në bujqësi
15.12.2016 15:56
Kooperimi, integrimi, inovacionet dhe partneriteti janë katër masat ku duhet të fokusohet bujqësia e Maqedonisë për ballafaqim të suksesshëm me ndryshimet klimatike...

Masat duhet t'i krijojnë prodhuesit, pasi ata ballafaqohen drejtpërdrejt me pasojat, ndërsa zbatimi duhet të fillojë nga niveli lokal. Kjo u tha në konferencën përfundimtare të projektit të USAID-it për adaptimin e bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike që në katër vitet e kaluara e zbatoi Rrjeti për zhvillim rural.
“Masat më të thjeshta e japin rezultatin më të mirë: prodhimin e qëndrueshëm, të sigurt, cilësor, prurjen e standardizuar dhe përfitimin më të madh. Përzgjedhja e drejtë e llojeve, futja e materieve organike në tokë, përdorimi i rrjeteve mbrojtëse UV, janë vetëm disa prej masave për adaptim, të cilat dolën nga projekti i cili i përfshiu 25 bujq dhe gjithsej 28 parcela”,- deklaroi drejtori i USAID-it, Xhejms Stein.
Ndryshimet klimatike tashmë janë realitet dhe një prej sfidave më të mëdha me të cilat ballafaqohet gjenerata jonë. Nuk e prekin vetëm ekologjinë, por shkaktojnë edhe pasoja serioze ekonomike dhe sociale, thekson drejtori i USAID-it, Stein. Projekti tregoi se me zbatimin e metodave adaptuese praktike të ardhurat mund të rriten edhe për mbi 60 për qind.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
