Zhbogar: “Përzhina” solli zgjedhje të suksesshme, Kocijançiç: I presim vendimet përfundimtare të ankesave
Euroambasadori, Samuel Zhbogar, ka vlerësuar se Marrëveshja e Përzhinës i solli Maqedonisë zgjedhje të drejta....

Euroambasadori, Samuel Zhbogar, ka vlerësuar se Marrëveshja e Përzhinës i solli Maqedonisë zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike, nga e cila dolën leksionet se problemi mund të zgjidhen nëpërmjet dialogut.
Zhbogar tha se të dielën një përqindje e lartë e popullsisë u shpreh për një të ardhme europiane. Zhogar pret nga qeveria e re të punojë në kthimin e besimit të qytetarëve në institucione, zbatimin e reformave të nevojshme për vendin për të vazhduar në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.
“Të dielën populli në përqindje të lartë u shpreh për një të ardhme më të mirë europiane, të cilën ata e meritojnë. Ekzistojnë këndvështrime të ndryshme mbi Marrëveshjen e Përzhinës në formën se si ajo u arrit, në rezidencë e jo në institucione. Por, dolën leksione që duhet ndjekur nga “Përzhina”. E para është se forma e vetme për të zgjidhur problemet është dialogu. Nevojitet kompromisi në interes të qytetarëve dhe shtetit. E dyta, funksionimi i duhur i shtetit dhe institucioneve është çelësi i zgjidhjes së problemeve dhe çështjeve të qytetarëve. Kjo është e vetmja formë të ndërtoni besimin në sundimin e së drejtës. Kthimi i besimit në institucione dhe në politikë duhet të jetë një nga synimet kryesore të liderëve politik dhe qeverisë së ardhshme, por edhe opozitës”,- deklaroi euroambasadori, Samuel Zhbogar.
Komisioni Europian nuk komenton faktin se asnjëri nga dy kampet politike maqedonase nuk pranon humbjen në zgjedhje. “Komisioni e mbështet tërësisht vlerësimin preliminar të ODIHR-it të zgjedhjeve dhe zbatimin e tyre. Aty ceken rezultatet preliminare, por ta presim epilogun nga proceset e ankesave dhe parashtresave”,- theksoi zëdhënësja e eurokomisionit, Maja Kocijançiç. Brukseli zyrtar i referohet deklaratës së përbashkët të para dy ditëve të përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerinit, dhe eurokomisarit për negociata për zgjerim, Johanes Han, të cilët u shprehën se zgjedhjet në Maqedoni kaluan në mënyrë të qetë dhe të rregullt, me jehonë të mirë të votuesve.
Ata konstatuan se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë element kyç i Marrëveshjes së Përzhinës. Mogerini dhe Han kërkuan nga partitë politike të veprojnë në mënyrë inkluzive, duke përfshirë opozitë aktive parlamentare dhe shoqëri dinamike qytetare. (Meral Ismaili, TVM2)
