Maqedoni

Rreth 600 mjekë nga Maqedonia punojnë në BE

15.12.2016 16:20

Rreth 600 mjekë, kryesisht të rinj, në 5 vitet e fundit kanë shkuar të punojnë në vendet e Europës...

Në bazë të numrit të dhënë të vërtetimeve të Odës së Mjekëve për periudhën 2012-2016, të cilën e ka në dispozicion organizata “Healthgouper”, rezulton se mbi 90% e mjekëve të migruar nuk e kanë aspak ndërmend të kthehen në vendlindje.
 
“Më shumë se 600 mjekë nga Maqedonia punojnë në Europë. Ky fenomen është në vazhdimësi gjatë 5 viteve të fundit. Shumë prej mjekëve të migruar nuk dëshirojnë të kthehen edhe po të paguhen njësoj si mjekët europianë. Faktor kryesor për migrimin e tyre është kriza politike, duke iu ofruar kushte më të mira financiare dhe mundësi të shumta që u jepen atyre atje për të përparuar në profesion”,- deklaroi Vlladimir Lazareviq nga “Healthgouper”.
 
Ideja për t’u punësuar në Europë rrjedh që në vitet e studimeve të mjekëve, ku ata regjistrojnë kurse për gjuhë të huaja për t’u punësuar më lehtë në Europë, thonë autoritetet. Ikja e punonjësve mjekësorë është problem shumë serioz edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Mjekët kosovarë Gjermaninë e shohin si vend që premton shumë.
 
“Nga viti 2009 deri në vitin 2013 është shtuar numri i mjekëve në 81% që kanë ikur në Gjermani, diku nga 5 në 115 mjekë. Gjermania është një nga shtetet më të preferuara të mjekëve kosovarë meqë i pranojnë diplomat, i kryejnë të gjitha obligimet që i kanë lidhur me provimin profesional dhe gjuhësor dhe gjejnë vend pune atje”,- deklaroi mjekja nga Kosova, Teuta Demjaha-Agai.
 
Sipas të dhënave, për shkollimin e një mjeku të rinj Maqedonia shpenzon rreth 60 mijë euro. Pjesëmarrësit e debatin në Shkup kushtuar kësaj problematike janë të të njëjtit mendim se shtetet e Ballkanit duhet të ndërmarrin masa urgjente afatgjate me të cilat do të parandalohej migrimi dhe do t’u mundësoheshin kushte më të mira për kthimin e mjekëve në vendlindje. 
 
REXHEP QAMILI