OPM: Kriza politike po dëmton biznesin
Për shkak të krizës politike, biznesi në Maqedoni gjatë vitit 2016 nuk ka pasur rritje....

Për shkak të krizës politike, biznesi në Maqedoni gjatë vitit 2016 nuk ka pasur rritje, vlerëson Organizata e punëdhënësve në Maqedoni.
Nga kjo organizatë kërkojnë reforma konkrete dhe masa për rritjen e biznesit në vend. Ata tani më kanë përgatitur propozimet e tyre që do t’ia dorëzojnë qeverisë së re. Kryetari i Organizatës së punëdhënësve, Angel Dimitrov, thekson se propozimet do t’i dorëzohen qeverisë një nga një, me qëllim që të shqyrtohen më detajisht.
“Është shumë e vështirë të kemi investime të huaja si dhe investime edhe nga vendi për shkak të kushteve dhe krizës politike. Asnjë biznesmen nuk do të bëjë investime të mëdha në ndonjë projekt të ri në këtë situatë politike”,- deklaroi kryetari i Organizatës së punëdhënësve në Maqedoni, Angel Dimitrov.
Bordi drejtues i Organizatës së punëdhënësve propozon që shteti të rinjve t’u kthejë deri më 25 vite kontributet e paguara dhe tatimit mbi të ardhurat personale, për të krijuar mundësi për punë sezonale të studentëve, reforma urgjente në sistemin arsimor për të krijuar personel të kualifikuar profesional në përputhje me nevojat e ekonomisë, ndryshimet në legjislacion të sigurisë në punë.
Ndër prioritetet kryesore është futja e pagesës së modelit të ri për punëtorët sezonal, duke e ndjekur shembullin e Francës, Italisë dhe Spanjës, e cila do të sigurojë rritjen e sigurisë sociale për të punësuarit në turizëm, ndërtimtari dhe tekstil. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
