Ekonomi
OEMVP shpalli top 100 kompanitë shqiptare
15.12.2016 17:08
Edhe krahas krizës ekonomike dhe politike dhe kërkesës së zvogëluar, kompanitë kanë arritur t’i mbajnë pozitat në top 100...

Edhe krahas krizës ekonomike dhe politike dhe kërkesës së zvogëluar, kompanitë kanë arritur t’i mbajnë pozitat në top 100, tha kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha, gjatë shpalljes së kompanive më të mira shqiptare në Maqedoni. Ai vlerësoi se kompanitë kanë demonstruar ndryshime, vizion dhe udhëheqje konstruktive.
“Në këtë aktivitet do të prezantojmë fuqinë dhe suksesin e të gjithë atyre që në këtë rrugë të vështirë dhe në këtë situatë ekonomike dhe politike, me mundin dhe me sakrificën e tyre arritën të gjejnë suksesin edhe në arritjet ekonomike që ndikojnë në mirëqenien në vendin tonë. Për të arritur këtë sukses, çdo kompani kërkon lehtësira, heqje barrierash, kërkon një infrastrukturë më të volitshme dhe njëkohësisht të gjitha këto duke arritur një bashkëpunim me të gjitha institucionet”,- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi, tha se sipas treguesve statistikorë, qarkullimi vjetor i 100 kompanive më të mëdha në Maqedoninë Veriperëndimore është mbi 622 milionë euro me fitim neto, që arrin në mbi 36 milionë euro dhe numri i të punësuarve është rreth 5 mijë, që është dëshmi e zhvillimit të këtyre kompanive në sajë të vendimeve të qëlluara dhe strategjive të menaxherëve të tyre, si dhe përzgjedhjes cilësore të burimeve njerëzore të angazhuara në to.
“Këto parametra për bizneset në Maqedoninë Veriperëndimore, të realizuara në vitin 2015, sipas të dhënave zyrtare nga Regjistri Qendror, janë një tjetër konfirmim nga ana e afaristëve, se politikat e mira dhe afatgjate ekonomike janë një parakusht për rritjen ekonomike dhe rezultatet pozitive, pavarësisht situatës së ndërlikuar politike dhe pasigurisë që kanë pasur bizneset në marrjen e vendimeve të tyre”,- tha ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
Sipas zgjedhjes së bërë, mes firmave më të suksesshme këtë vit janë “Neptun”, “Dauti Komerc”, “Bas Tuti Fruti”, “Kiper Market”, “Pofiks”, “Trim”, “Alma M”, “Instalacia”, “Prince Enterprajs”.
“Është një çmim që është një satisfakcion moral, por dhe pse jo satisfakcion që jep një shembull për kompanitë më të vegla të performojnë dhe të mundohen që ta krijojnë një biznes të tipit të “Neptunit” që sot unë përfaqësoj dhe që ne operojnë në Maqedoni”,- theksoi pronari i “Neptunit”, Arsim Papraniku.
Ky projekt realizohet për herë të gjashtë dhe bën përzgjedhjen e kompanive më të fuqishme që gjatë vitit të kaluar kanë realizuar një performancë të caktuar dhe vazhdojnë të shënojnë rezultate pozitive falë një menaxhimi të suksesshëm të ndërmarrjeve të tyre.
Në zgjedhjen top 100, kompanitë më të suksesshme shqiptare në Maqedoni u ndanë në bazë të tri kategorive kryesore, siç janë: qarkullimi i përgjithshëm vjetor, fitimi neto dhe numri i të punësuarve.
ERSAN PAJAZITI
