Prishet marrëveshja, në Alepo ndërpriten evakuimet
Zhvendosja e civilëve dhe rebelëve në pjesën lindore të Alepos....

Zhvendosja e civilëve dhe rebelëve në pjesën lindore të Alepos është pezulluar nga Qeveria siriane, e cila akuzon kundërshtarët e saj se kanë shkelur termat e marrëveshjes së evakuimit.
Pjesëtarë të misionit të evakuimit thanë se në zonën ku ishin stacionuar autobusët e zhvendosjes së civilëve u dëgjuan shpërthime të fuqishme. Mediat alarmojnë se grupet terroriste, mbështetëse të regjimit sirian, kanë marrë peng afërsisht 800 persona të cilët ndodheshin në autokolonën e autobusëve që evakuonin njerëzit nga Alepo. Më shumë se 3 mijë njerëz, përfshirë fëmijë dhe 40 të plagosur, u larguan në ditën e parë të evakuimit nga pjesa lindore e qytetit të dytë më të madh sirian, por sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara më shumë se 50 mijë civilë vijojnë të mbeten të bllokuar.
“Ajo që dimë është fakti se ka një numër të madh njerëzish që duhet të nxirren jashtë qytetit. Në 2.6 metra katrorë janë grumbulluar mijëra gra e fëmijë. Ata u mblodhën në mëngjes, por tani operacioni i evakuimit u ndërpre. Nuk kemi të dhëna pse është ndërprerë, shpresojmë vetëm të jetë suspenduar përkohësisht. Askush nuk e di numrin e saktë të atyre që presin të dalin jashtë Alepos, por janë shumë. Sapo autobusët e parë u larguan dje, filluan të arrijnë gjithnjë e më shumë njerëz. Nuk na kanë dhënë asnjë arsye pse të ndërpresim operacionin e evakuimit, prandaj nuk dua të spekuloj për momentin”,- deklaroi përfaqësuesja e OBSh-së, Elizabeth Hoff.
Edhe pse e quajtën moment historik nisjen e operacionit nga qeveria, të shumtë janë ata që fajësojnë presidentin e Sirisë, se ai mban përgjegjësinë e mijëra jetëve që kanë humbur në Siri. Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar ashpër dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë qeverinë e Damaskut.
“Ajo që regjimi i Assadit po kryen nuk është asgjë më pak sesa një masakër. Dhe ne kemi qenë dëshmitarë të kësaj. Ato nuk kanë qenë incidente lufte, por sinqerisht të qëllimshme. Një politikë cinike për të terrorizuar civilët”,- tha sekretari amerikan i shtetit, John Kerry.
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, përsëriti se ai do të krijojë zona të sigurta në Siri, të cilat do të financohen pjesërisht nga shtetet arabe. Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, kërkoi hapjen e menjëhershme të korridoreve humanitare për të lejuar ndihmën që të mbërrijë në Alepo, ndërsa Britania po mundohet t’u vijë sadopak në ndihmë banorëve të qytetit me një fond prej 25 milionë dollarësh. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e përshkroi situatën në Alepo si shumë të trishtë dhe tha se i vjen keq sesi Diplomacia europiane dështoi kështu. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
