“Alepo, turpi i njerëzimit”, thirrje nga Shkupi për ndërgjegjësimin e botës

16.12.2016 15:58

Lidhja e nxënësve shqiptarë protestoi në shenjë solidarizimi......

Lidhja e nxënësve shqiptarë protestoi në shenjë solidarizimi  me viktimat e qytetit të Alepos, me qëllim të ndërgjegjësimit të popullatës  për gjendjen e tyre.

Mesazhi i Lidhjes së nxënësve shqiptarë ishte se “edhe heshtja ndaj padrejtësive është krim në vete”.  

“Me zemër të thyer e të përvuajtur për viktimat në Alepo, ne nxënësit e shkollave, por edhe të gjithë ju që na përkrahni, sot jemi mbledhë për të dëshmuar atë që bota bashkëkohore, bota e modernizuar nuk arriti ta dëshmojë, por ne nuk do të dështojmë, ne nuk do të heshtim, pasi që e dimë që edhe heshtja ndaj padrejtësisë është krim”,- deklaroi kryetari i Lidhjes së nxënësve  shqiptarë, Amar Rexhepi.

“Alepo është duke u masakruar, shkatërruar, gjendja në atë qytet të lashtë është katastrofale. Vetëm për 20 ditë kanë vdekur, mbi 900 fëmijë, 900 të pafajshëm”,- theksuan nga Lidhja e nxënësve shqiptarë.

“Jetojmë në kohën e hipokrizisë, ku nuk u ndihmohet dhe nuk u dhimbset fëmija i vrarë vetëm se është mysliman”,- tha një nxënës.

“Apeloj të shikoni se ku  është bota, jo vetëm këta në Siri, edhe ata që janë në Palestinë, edhe ata në Burma. Ju lutem ngrihuni  njëherë, vetëdijesohuni”,- u shpreh një nxënës.

Masakra dhe gjenocidi që po bëhet ndaj popullit të Alepos në Siri ka bërë që një pjesë dërmuese e botës të solidarizohet me këta të fundit. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)