Maqedoni

Komiteti i Helsinkit: të ndërmerren masa ndaj gjuhës së urrejtjes

16.12.2016 17:07

Komiteti i Helsinkit në Maqedoni ka reaguar ashpër ndaj gjuhës së urrejtjes që u dëgjua gjatë protestave para KShZ-së...

Në thirrjet e turmës së simpatizantëve të VMRO-DPMNE-së dhe në fjalimet e funksionarëve, sipas Komitetit të Helsinkit vërehen elemente të urrejtjes në baza fetare, nacionale dhe racore dhe kërcënim për sigurinë e më shumë personave, të cilat janë të ndëshkueshme sipas Kodit Penal të vendit.
 
“Nga pjesëmarrësit në protestë u dëgjuan thirrje si: “Qoseto është gjallë”, ndërsa drejtoresha e Komitetit për marrëdhënie me komunitetet dhe grupet fetare, Valentina Bozhinovska, ka dërguar mesazhe kërcënuese ndaj opozitës dhe anëtarëve të KShZ-së, duke porositur që të kenë kujdes lidhur me vendimet e parashtresave dhe vullnetin e popullit, sepse në të kundërtën do të ndodhë “natë e thikave të gjata”. Pjesëmarrësit në protestë kanë përdorur fjalor fyes dhe kërcënues edhe ndaj liderit të opozitës, ndaj komunitetit shqiptar dhe ndaj një ambasadori në vend”,- thuhet nga Komiteti i Helsinkit. 
 
Komiteti i Helsinkit në Maqedoni fton institucionet që të ndërmarrin masa për të penguar dhe ndëshkuar gjuhën e urrejtjes, nëse kjo nuk ndodh, do të thotë tolerim dhe arsyetim për gjuhën e urrejtjes, thuhet në reagimin e Komitetit të Helsinkit të Maqedonisë.
 
Ambasada amerikane ndërkohë thotë se reagimet emocionale janë të pritshme marrë parasysh rezultatin e ngushtë zgjedhor mes dy partive më të mëdha. Prej Ambasadës inkurajojnë partitë të punojnë së bashku me qëllim që t’i dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve. 
 
Gjithashtu ka reaguar edhe kryetarja e Komisionit për marrëdhënie mes bashkësive. Sipas saj, deklarata është nxjerrë nga kontesti nga mediat e afërta me LSDM-së, sepse “nata e thikave” është përmendur si analogji për thikën pas shpine që opozita dëshiron t’ia ngulë demokracisë, e jo si thirrje nxitëse për veprime kundër ndonjë etniteti apo partie.
 
NAIM RAMADANI