Maqedoni
Gruevski paraqitet në gjykatë, nuk merren si dëshmi “bombat” që paraqiti PSP
16.12.2016 17:27
Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, ish ministri i Transportit, Mile Janakievski, dhe deputetja, Daniella Rangellova...

Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, ish ministri i Transportit, Mile Janakievski, dhe deputetja, Daniella Rangellova, u paraqitën në seancën gjyqësore për lëndën e Prokurorisë Speciale Publike në lidhje me ngjarjet para komunës Qendër në qershor të vitit 2013.
Por, megjithëse rasti është ngritur nga Prokuroria Publike për ndjekjen e veprave penale të lidhura apo që dalin nga ndjekja joligjore e komunikimeve, gjykatësja, Tatjana Mihajllovska, hodhi poshtë dëshmitë e prezantuara nga prokurorja speciale, Fatime Fetahi, me arsyetimin se provat janë siguruar nga përgjimi i bërë në mënyrë të jashtëligjshme.
Ajo gjithashtu refuzoi edhe dëshminë e një dëshmitari të rrezikuar, i cili është i njohur vetëm për PSP-në. Gjykatësja madje i përkujtoi prokurores Fetahi se salla e gjyqit nuk është cirk.
Edhe avokati mbrojtës u shpreh i habitur se si PSP erdhi në gjykim me dëshmi nga materiale të përgjuara në mënyrë joligjore.
“Unë personalisht jam i habitur për atë se çfarë dëshmie jolegjitime dhe joligjore u prezantuan nga Prokuroria Speciale Publike në këtë seancë gjyqësore. Madje, mendoj se në opinion nuk mund të mos dihet se këto dëshmi nuk mund të propozohen në procedurë të pa bazë ligjore. Andaj sot u hodhën poshtë këto dëshmi nga ana e gjykatës se janë të palejueshme. Ligji për mbrojtje të dëshmitarëve për forma më të rënda të veprave penale dhe me kusht nëse nuk ekzistojnë dëshmi tjera, Ligjin parashikon atëherë të zbatohet dëshmitari i rrezikuar”,- deklaroi avokati i mbrojtës, Nikolla Dodevski.
Seanca e ardhshme gjyqësore për këtë rast është caktuar për 22 shkurt të vitit të ardhshëm. PSP me 15 shtator të këtij viti ngriti akuzë kundër Gruevskit, Janakievskit dhe 12 personave tjerë të cilët ngarkohen për porositjen e dhunës ndaj kreu të Qendrës, Andrej Zhernovskit.
REXHEP QAMILI
