Botë
Lufta në Siri, rinis evakuimi, qindra persona lënë qytetin e Alepos
19.12.2016 09:29
Evakuimet në Alepo po vazhdojnë, teksa autobusë e ambulanca po largohen nga zonat e kontrolluara nga rebelët në qytetin sirian...

Të paktën 350 persona raportohet të jenë larguar në orët e vona të së dielës drejt territoreve të kontrolluara nga qeveria. Më herët, autobusët e dërguar për të nxjerrë njerëzit jashtë këtyre territoreve u qëlluan, duke bërë që edhe procesi i evakuimit të ndalonte. Mijëra persona janë tashmë duke pritur largimin nga Alepo lindore.
Pavarësisht pengesave të një dite më parë, autobusët dhe ambulancat filluan të lëviznin jashtë zonës pas muzgut. Pesë autobusë kanë mbërritur tashmë në Khan al-Assal dhe që prej andej ata pritet të udhëtojnë drejt zonave të kontrolluara nga qeveria në Alepo dhe në provinca përreth.
Ndër personat që presin të largohen janë edhe fëmijë të sëmurë e të plagosur. Disa fëmijë janë detyruar të largohen pa prindërit e tyre, ndërkohë që qindra të tjerë mbetën ende të bllokuar në Alepon e shkatërruar. Lufta në Alepo dhe masakrat që po ndodhin aty kanë alarmuar edhe Shoqatën e ombudsmanëve të Mesdheut.
“Ndaj civilëve po ndërmerren akte kriminale, po zhvendosen forcërisht, po ju shkatërrohen pronat, po torturohen dhe vriten. Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara njofton se vetëm në 24 orët e fundit janë ekzekutuar të paktën 82 civilë, ndër ta edhe mjaft gra dhe fëmijë. Organizma të tjera ndërkombëtarë e konsiderojnë atë që po ndodh në Alepo si një nga masakrat më të mëdha ndaj civilëve pas Luftës së Dytë Botërore. AOM kërkon nga të gjitha palët që të respektohen të drejtat e njeriut dhe e drejta ndërkombëtare humanitare në rastet e konflikteve të armatosura”,- thuhet në reagim.
AOM u kërkon të gjitha organizmave ndërkombëtare që me prioritet të përpiqen t’i japin një zgjidhje përfundimtare kësaj tragjedie.
GAZMEND REXHEPI
