Botë
ShBA, Donald Trump konfirmohet sot si president
19.12.2016 14:10
Kolegji Elektoral amerikan pritet të zgjedhë edhe zyrtarisht sot Donald Trumpin si presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara...

Kolegji Elektoral amerikan pritet të zgjedhë edhe zyrtarisht sot Donald Trumpin si presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në një votim që si zakonisht është veçse rutinë, por që këtë herë ndodh mes akuzave për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje me synimin për të ndikuar.
Në takimet e parashikuara në kryeqytetet e secilit shtet, si dhe në Distriktin e Kolumbisë, 538 zgjedhësit elektoralë do të hedhin votat për presidentin dhe zëvendëspresidentin.
Ka shumë pak gjasa, për të mos thënë aspak, që votimi të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit, që i dha Trumpit çelësat e Shtëpisë së Bardhë, pasi fitoi shumicën e votave të Kolegjit Elektoral. Megjithatë, vota popullore shkoi për demokraten, Hillary Clinton.
Një kandidat duhet të sigurojë 270 vota elektorale për t’u zgjedhur, ndërsa Trumpi fitoi 306 nga 30 shtete në zgjedhjet e 8 nëntorit.
Nëse asnjë kandidat nuk arrin 270 vota në Kolegjin Elektoral, presidenti zgjidhet nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit, aktualisht e kontrolluar nga republikanët.
