Maqedoni

Hetimet për parregullsitë zgjedhore, PPS: Ende zgjat procedura hetimore për pesë gjykatësit

19.12.2016 14:21

Prokuroria Speciale ende nuk e ka përfunduar procedurën hetimore kundër pesë gjykatësve në Gjykatën Administrative...

Prokuroria Speciale ende nuk e ka përfunduar procedurën hetimore kundër pesë gjykatësve në Gjykatën Administrative, që janë pjesë e rastit të parë të hapur nga PPS nën emrin e koduar “Titanik”. 

Rasti ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore të vitit 2013, para gjatë dhe pas zgjedhjeve të atij viti. PPS nuk dëshiron për hirë të hetimeve që të japë përgjigje nëse gjykatësit, e thirrur tashmë në pyetje, do të jenë të njëjtët që duhet të vendosin për ankesat e partive politike lidhur me parregullsitë  e zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

Edhe pse kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski, më herët u ankua se ka presion mbi gjykatën dhe se pesë prej tyre janë thirrur për bisedë në PPS, nga Prokuroria Speciale thanë se gjykatësit nuk janë mbi drejtësinë. Prokuroria Speciale ka iniciuar hetim kundër disa gjykatësve dhe kjo nuk paraqet presion, por kërkim të zbardhjes të së vërtetës.

Rasti “Titanik” përfshin më shumë funksionarë të dyshuar për parregullsi zgjedhore. Sipas PPs-së, rasti ende është në procedurë hetimore. Rasti “Titanik” është rasti i parë i hapur nga Prokuroria Publike Speciale.