Maqedoni
KE: KShZ dhe Gjykata të punojnë pa presione, sipas ligjit
19.12.2016 15:33
Brukseli zyrtar kërkon që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe gjykatat të lihen të punojnë sipas ligjit pa ndikime politike dhe presione...

Zëdhënësja e KE-së, Maja Kocianciq, deklaron se Brukseli është shumë i shqetësuar nga tensionet e ditëve të fundit dhe retorika e shtuar negative në Shkup.
“Komisioni Europian i ka shqyrtuar rezultatet paraprake të zgjedhjeve dhe rezultatet nga ankesat, dhe tani pret përfundimin e shqyrtimit të ankesave. Institucioneve relevante, përfshirë KShZ-në dhe gjykatat, duhet t’u lejohet të punojnë pa pengesa, pa presione dhe pa ndikime politike. Jemi shumë të shqetësuar për shkak të tensioneve të ditëve të fundit dhe rritjes së retorikës negative. KE iu bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të sillen me përgjegjësi, me qëllim të përforcimit të besimit të qytetarëve tek institucionet publike dhe në proceset demokratike”,- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kocianciq.
Kocianciq rikujtoi edhe thelbin e kumtesës së përbashkët të Federika Mogherinit dhe Johanes Hahnit dhënë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve për formimin e qeverisë dhe reformën në drejtësi.
“Ne presim me padurim formimin e parlamentit dhe kabinetit të ri qeveritar si dhe realizimin e reformave të kërkuara për zgjidhjen e sundimit sistematik të ligjit. Ftojmë edhe në implementimin në vazhdimësi të marrëveshjeve politike të nënshkruara paraprakisht”,- theksoi zëdhënësja e KE-së, Maja Kocianciq.
Komisioni Europian do të vazhdojë ta mbështesë vendin në procesin eurointegrues, shtoi Kocianciq.
