Maqedoni
Bejli takon Ahmetin dhe Zaevin, Ahmeti: me rëndësi përmbyllja e MO-së
19.12.2016 16:48
Ambasadori amerikan, Xhes Bejli, ka takuar sot kryetarët e BDI-së dhe LSDM-së, Ali Ahmetin dhe Zoran Zaevin...

Ambasadori amerikan, Xhes Bejli, ka takuar sot kryetarët e BDI-së dhe LSDM-së, Ali Ahmetin dhe Zoran Zaevin, për të diskutuar për situatën pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit.
Kreu i BDI-së, Ahmeti, ka theksuar rëndësinë e përmbylljes së Marrëveshjes së Ohrit, por edhe barazisë gjuhësore dhe ekonomike, reformave dhe sundimit të Ligjit si dhe integrimin euroatlantik. Sipas tij, ka rryma të caktuara që duan pasiguri, paqëndrueshmëri dhe paparashikueshmëri gjeopolitike të vendit. “BDI është e përkushtuar në ruajtjen e stabilitetit, orientimit strategjik të vendit dhe partneritetin me Brukselin dhe Uashingtonin”,- ka deklaruar Ahmeti.
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ndërkohë ka theksuar se institucionet janë të obliguara të punojnë në shërbim të qytetarëve. “Qytetarët u përcaktuan për jetë më të mirë, për liri, për demokraci. Ajo që qytetarët nuk iu nënshtruan manipulimeve dhe provokimeve ditëve të fundit është edhe një konfirmim se shoqëria është e pjekur për ndryshime. Ditët në vijim do të tregojnë se proceset e filluara demokratike në Maqedoni tashmë askush nuk mund t'i pengojë",- ka thënë Zaev në takimin me ambasadorin Bejli.
Siç njoftoi LSDM-ja, Zaev ka theksuar se shumica e qytetarëve në Maqedoni kanë zgjedhur ndryshime në zgjedhjet parlamentare dhe vullneti i tyre duhet të respektohet.
