Kuvendi i Kosovës nesër mban seancë për Astrit Deharin

19.12.2016 17:22

Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së nesërme do të mbajë seancë për vdekjen e Astrit Deharit....

Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së nesërme do të mbajë seancë për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Ky vendim është bërë i ditur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, derisa seanca do të mbahet me fillim nga ora 10:00.

Kjo seancë është thirrur pasi koalicioni LDK-PDK ka arritur të mbledhë 40 nënshkrimet e nevojshme për mbajtjen e një seance plenare, njofton Klan Kosova.

Nënkryetarja e Kuvendit që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti ka thënë se thirrja e kësaj seance është joligjore.

Dërguti ka deklaruar se PDK dhe LDK janë në panikë, andaj edhe e kanë thirrur këtë seancë për Astrit Deharin.

Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar kohë më parë që të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme lidhur me vdekjen, që ata e cilësojnë si të dyshimtë të aktivistit Dehari, por nuk kanë arritur të mbledhin 40 nënshkrimet e nevojshme.