Reali barazon, gara për titull bëhet shumë interesante
Është ai, Kristiano Ronaldo që shpëton Realin nga humbja e papritur në ndeshjen e sontshme të javës së 36-të përballë Valencias, ndaj së cilës skuadër “mbretërit” barazuan me rezultatin 2:2…..
Është ai, Kristiano Ronaldo që shpëton Realin nga humbja e papritur në ndeshjen e sontshme të javës së 36-të përballë Valencias. 2:2 ishte rezultati përfundimtarë i këtij takimi derbi, me ç’rast “mbretërit” nuk arritën të shfrytëzojnë disfatën e Atletiko Madridit dhe të barazohen me pikë me kushërirët e tyre nga Madridi, të cilët në ndeshjen e zhvilluar gjatë ditës më herët pësuan një disfatë të rëndë nga Levante me rezultatin 2:0.
Edhe Reali i Madridit ishte shumë pranë disfatës, mirëpo si gjithnjë në momentet më të vështira, aty është ylli portugez Kristiano Ronaldo. Në momentet kur po zhvillohej minuta e dytë shtesë nga gjithsej 5 minuta, Ronaldo në stilin e tij me dhembër barazoi rezultatin, duke i dhënë një shpresë skuadrës së tij që mund të arrijë deri tek titulli kampion.
Falë këtij barazimi Reali i Madridit ka 83 pikë, por edhe një ndeshje më pak dhe aktualisht ndodhet në pozitën e 3-të me 5 pikë më pak se Atletiko Madridi në pozitën e parë dhe dy pikë më pak se Barcelona që të shtunën barazoi me Getafen në “Kamp Nou”.
Sa i përket ndeshjes në “Santiago Bernabeu”, Valencia edhe një herë tjetër u tregua një macje e zezë për Realin, duke rrezikuar që nga fillimi formacionin e Ançelotit, ku fillimisht goditën traversën e më pas gjetën edhe golin e epërsisë në minutën e 44-të me anë të francezit Zheremy Matju.
Njëjtë sikurse në Ligën e Kampionëve, ashtu edhe sonte Ronaldo dhe Ramos ishin dy futbollistët që morën për dore “madrilenët”, duke rikthyer barazpeshën teksa portugezi shërbeu në qendër për mbrojtësin që dërgoi topin në fundin e rrjetës.
Në momentin më të mirë të Realit, Valencia goditi sërish në kundërsulm këtë herë me Daniel Parehon në minutën e 65-të, vetëm 6 minuta pas golit të parë të “mbretërve”.
Reali u vu i tëri në kërkim të golit të barazimit por e gjeti atë shumë vonë, vetëm falë yllit të saj Kristiano Ronaldo, që mban në garë për titullin e kampionit Realin, që me dy javë deri në përfundim duhet të shpresojë minimalisht në një humbje të Atletiko Madridit, skuadër kjo e cila në javën e fundit do të përballet me Barcelonën në “Kamp Nou”.
Në rast se nuk ndodh një gjë e tillë, titulli do të shkonte në krahun tjetër të Madridit në “Visente Kalderon”, te Atletiko Madridi, me të cilën skuadër do të diskutojnë edhe për titullin në Ligën e Kampionëve në finalen e 24 majit në Lisbonë. (infOSport.mk)