Vrasja e ambasadorit rus në Turqi, policia turke ndalon 6 persona

20.12.2016 16:18

Policia turke ka ndaluar 6 persona lidhur me hetimin për vrasjen....

Policia turke ka ndaluar 6 persona lidhur me hetimin për vrasjen e djeshme të ambasadorit rus në Ankara.

Nëna, babai, motra dhe dy të afërm të vrasësit, i cili u vra më pas nga rojet e sigurisë, janë ndaluar në provincën perëndimore të Ajdinit, ndërsa në Ankara u ndalua një person që ndante apartamentin me të.

Në Ankara ka arritur edhe një delegacion rus i përbërë nga hetues të cilët do të përfshihen bashkë me ata turq në hetime. Në përbërje të delegacionit janë 18 anëtarë të ekipit, në mesin e të cilëve janë një prokuror, dy atashe për siguri, zyrtarë të Ministrisë për Situata të Jashtëzakonshme, forenzikë dhe psikologë.

Së fundmi Turqia po përballet me kërcënime të shumta në aspektin e sigurisë, përfshirë ato që vijnë nga Shteti Islamik, një zëdhënës i të cilit u bëri thirrje militantëve në të gjithë botën që të kryejnë një seri sulmesh të reja, duke vënë në shënjestër interesat diplomatike, ushtarake dhe financiare të Turqisë.

Derisa një ish zyrtar i sigurisë në Turqi deklaroi se, ekzistojnë “tregues shumë të fortë” se vrasësi i ambasadorit i përkiste rrjetit të klerikut Fethullah Gulen, i cili ndodhet në SHBA e që Ankaraja e akuzon si arkitekt të tentativës për grusht shteti në korrik.