Botë

Sulmi në Berlin, policia kërkon tunizianin e dyshuar si autor

21.12.2016 10:59

Policia gjermane është vënë në kërkim të agresorit, një shtetas tunizian i identifikuar si Anis A., që përplasi kamionin në tregun e Krishtlindjes në Berlin...

Policia gjermane është vënë në kërkim të agresorit, një shtetas tunizian i identifikuar si Anis A., që përplasi kamionin në tregun e Krishtlindjes në Berlin, ku mbetën të vdekur 12 persona dhe 49 të tjerë u plagosën, 12 prej të cilëve në gjendje të rëndë.
 
Të martën, policia la të lirë të dyshuarin e vetëm të arrestuar, me justifikimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta lidhur atë me sulmin në fjalë. Ish-i dyshuari, pakistanezi Naved B. mohoi të kishte gisht në sulmin vdekjeprurës. Policia tha se nuk kishte gjetur gjurmë të tij në automjetin e krimit.
 
Sipas forcave policore tashmë, më shumë se një i dyshuar mund të jenë në arrati, e me shumë gjasë të armatosur, ndaj dhe në kryeqytetin gjerman është përshkallëzuar siguria. Siguria në kryeqytet është rritur, me forca shtesë policore dhe barriera të ngritura në tregjet e ngjashme për të parandaluar sulme me natyrë të njëjtë.
 
“Askush nuk do të gjejë paqe derisa agresori apo agresorët të kapen”, Thomas De Maiziere, Ministër i brendshëm Gjerman.
 
“Gjëja e duhur që mund të bëjmë aktualisht është të mbajmë sytë hapur, të jemi vigjilentë në këtë situatë të rëndë. Megjithatë, ju mund të lëvizni lirisht në vendet publike. Nuk ka nevojë për panik”, Michael Muller, Kryebashkiak i Berlinit.
 
Shteti Islamik mori përsipër sulmin, që sipas tyre është  reagim ndaj thirrjeve për të shënjestruar shtetasit e vendeve pjesëmarrëse në koalicionin anti-ISIS.
 
Por grupi xhihadist nuk dha prova dhe nuk e identifikoi agresorin. Hetuesit gjermanë thonë se stili i sulmit dhe zgjedhja e objektivit tregonin se këtu ka gisht ekstremizmi islamik.
 
Por ministri De Maiziere reagoi me kujdes ndaj këtij pretendimi, duke thënë se “po ndiqen një sërë pistash hetimi”.
 
Shoferi i kamionit, polaku Lukasz Urban u gjet i vdekur në sediljen e pasagjerit, e nga sa raportohet ka pasur plagë plumbi dhe thike në trupin e tij. Gjithsesi, asnjë armë nuk u gjet në kamionin në fjalë.
 
Incidenti i së hënës, u duk identik me sulmin me kamion në ditën e Bastijes në qytetin francez të Nicës më 14 korrik, që u mor gjithashtu përsipër nga Shteti Islamik.
 
GAZMEND KURTISHI