Botë

Alepo, OKB: Janë evakuuar reth 20 mijë civilë; Turqia flet për reth 38 mijë të evakuuar

21.12.2016 13:56

Rreth 20 mijë vetë janë evakuuar nga Alepoja lindore drejt provincës së Idlibit, që kur operacioni filloi më 15 dhjetor, konfirmon OKB...

Në operacione paralele evakuimi, 750 vetë janë nxjerrë nga dy fshatrat e rrethuar sirianë Al Fuah dhe Kefraya.
 
Sidoqoftë, Kombet e Bashkuara nuk mund të konfirmojnë sesa njerëz vazhdojnë të mbeten të bllokuar në enklavën që vazhdon të jetë nën kontrollin e rebelëve.
 
Këshilli i Sigurimit ka kërkuar monitorimin e procesit dhe sigurisë së civilëve që mbeten të bllokuar.
 
Qeveria siriane ka autorizuar dërgimin e një misioni prej 20 personash në Alepon lindore, për të monitoruar evakuimet.
 
Stafi shtesë i OKB-së ndodhet në Damask, i gatshëm për të udhëtuar drejt Alepos lindore sa më shpejt që të jetë e mundur.
 
Por, ndërsa OKB-ja flet për afro 20 mijë të evakuuar, Turqia ka deklaruar se operacioni për evakuimin e civilëve dhe luftëtarëve nga Alepoja lindore ka nxjerrë që andej 37.500 vetë.
 
Ndërsa sipas Kryqit të Kuq, numri i të evakuuarve është 25 mijë. Burime nga rebelët sirianë thonë se, edhe pas largimit të mijëra vetëve nga Alepoja lindore, vetëm rreth gjysma e civilëve që donin të largoheshin e kanë bërë këtë. Luftëtarët rebelë, ndërkohë, do të largohen vetëm pasi të gjithë civilët që duan do të jenë larguar. 
 
GYLTENE SINANI