Maqedoni

5 dekada punë të palodhshme, çmim shtetëror për gazetarin Alush Kamberi

21.12.2016 15:02

Gazetari dhe publicisti Alush Kamberi, është nderuar me cmimin shtetëror “Mito Haxhivasilev Jasmin”...

Gazetari dhe publicisti Alush Kamberi,  është nderuar  me cmimin shtetëror “Mito Haxhivasilev Jasmin”, për punën e palodhshme për rreth 5 dekadësh në gazetari e sidomos në lëmin e dokumentaristikës.
 
Kamberi dha kontributin e tij në redaksinë shqipe të servisit publik, që nga krijimi i saj në 1967, dhe gjatë gjithë jetës profesionale, por edhe tani që është në pension, ka trajtuar tema nga më të ndryshmet në dokumentarët e tij, që kanë përfshirë jo vetëm cështjen shqiptare në Maqedoni, por edhe shqiptarët të të gjitha kontinentet ku ata jetojnë.
 
Ai tregon me emocione kur për herë të parë nisi punën në redaksinë në  gjuhën shqipe. 
 
“I kam bërë hapat e para në vitin 1967 , atëher kur për herë të parë u themelua Redaksia e emisioneve televizive ne gjuhën shqipe ne Televizionin e Shkupit, tani Televizioni I Maqedonisë dhe kjo redaksi ishte redaksia e parë në gjuhën shqipe  në të gjitha hapsirat shqiptare.  Fati e deshi që të jem gazetari i parë dhe i vetëm i asaj redaksie. Në atë kohë ishim vetëm 4 anëtarë të redaksisë, ishte i ndjeri Murat Isaku -redaktor i programit,  Suzana Kaba- spikerja e pare, Skender Kuli realizator dhe unë si gazetar. Dhe unë si gazetari i vetëm i kesaj redaksie që ta ushqej programin  me kontribute televizive që më është dashtë që gjithë kohen të jem në terren dhe gjithmonë gjithë jetës kam qenë në gjurmë të lajmit, në gjurmë të ngjarjes, në gjurmë të njerëzve dhe  fateve të tyre. Kjo ka qenë gjithmonë  një sakrificë e madhja e imja dhe unë këtë e kam bërë me një vullnet të jashtëzakonshëm  me një dashuri të jashtëzakonshme. Edhe njëher të lindja, unë përsëri do bëhesha gazetar”, tha Alush Kamberi, dokumentarist - fitues i çmimit “Mito Haxhivasilev Jasmin”
 
Në fushën e gazetarisë cmimin shteror Mito Haxhi Vasilev Jasmin" iu dha Toni Dimkovit. 
 
“Për mua ky cmim paraqet stimul shtesë për të vazhduar me punën  ashtu siç kam punuar që 25 vite . Është një udhëzues  për ti respektuar të gjitha normat standarte që duhet të gjithë ti respektojmë në gazetari”, tha Toni Dimkov, gazetar - fitues i çmimit “Mito Haxhivasilev Jasmin”
 
Cmimi shtetëror është mirnjohje për të gjithë ata që iu ndahet. Por për kolegun tonë  Alush  Kamberi ky cmim vjen në një moment të vecantë pasi iu nda pikërisht në 50 vjetorin e krijimtarisë së tij në gazetari.  
 
Gjatë punës së tij në Televizionin e Maqedonisë , Kamberi mban autorësinë e mbi 400 dokumentarëve televizivë. Me shumë prej tyre është nderuar me mirnjohje por ndër më të vecuarit, padyshim kanë qenë dokumentarët kushtuar shenjtores nënë Terezë, që i ka filluar që me ardhjen e  saj të parë në Shkup e që e ka vazhduar edhe me 3 dokumentarë të tjerë. 
 
REJHANE BUSHI METAJ