Maqedoni

KSHZ vendosi rivotim në Tearcë, më 25 dhjetor

21.12.2016 17:51

Në vendvotimin 2011, në Komunën e Tearcës do të ketë rivotim. Rivotimi do të përsëritet 14 ditë pas ditës së zgjedhjeve, respektivisht më 25 dhjetor...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mori vendim që të përsëritet votimi në vendvotimin 2011 në komunën e Tearcës, pasi rivotimi mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar, respektivisht numri i mandateve të fituara të partive në Njësinë Zgjedhore 6, në zgjedhjet e 11 dhjetorit mund të ndryshojë.
 
Vendimi i KSHZ-së vjen menjëherë pas vendimit të Gjykatës administrative, e cila pranoi padinë e Koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja për anulimin e vendimit të KSHZ-së, përkatësisht për anulimin e votimit në vendvotimin 2011.
 
Koalicioni i udhëhequr nga VMRO DPMNE, paralajmëroi se nuk do të merr pjesë në rivotimin në Tearcë dhe nuk do t’i njeh rezultatet.
 
“VMRO DPMNE nuk do të merr pjesë në rivotim, nuk do t’I njeh rezultatet dhe nuk do ta lejoj “kriminelin e aboluar” Zoran Zaev që të bëj qeveri duke falcifikuar vullnetin e qytetarëve.”-deklaroi kreu I VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
LSDM, nga ana tjetër është e bindur se ajo do ta bëj qeverinë e re. Sipas tyre nuk ka më vend në politikë për kriminelë dhe personalezhe si Nikolla Gruevski, dhe as vjedhje zgjedhore.
 
“VMRO DPMNE do të jetë opozitë” - deklarojnë nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM.
 
Për ndryshe, në vendvotimin 2011 në Tearce në Listën zgjedhore janë regjistruar gjithsej 714 votues.
 
Më 11 dhjetor në votim kanë dalë 404 votues, prej të cilëve 91 kanë votuar për VMRO-DPMNE-në dhe 87 për LSDM-në.
 
Një dallim i ngushtë, prej katër votash, mes palëve rivale. Sipas rezultateve të para të KSHZ-së, në Njësinë zgjedhore 6,  VMRO-DPMNE-ja ka fituar 4 mandate, ndërsa LSDM-ja 3.
 
Rivotimi në këtë vendvotim, mund të ndryshojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në favor të LSDM-së, kështu VMRO-DPMNE dhe LSDM mund të dalin me nga 50 mandate, secila.
 
SHPËTIM NUREDINI