Botë

Lufta kundër ISIS, Turqia humbje të mëdha

22.12.2016 09:57

Zyrtarë turq bënë me dije se në përleshjet e ashpra me militantët islamik në Siri u vranë 14 ushtarë dhe u plagosën 33 ushtarë të tjerë...

Luftimet e së mërkurës u zhvilluan në qytetin Al-Bab, ku Turqia po ndihmon rebelët që ta marrin nga kontrolli i ISIS-it.
 
Këto luftime shënuan humbjet më të mëdha ushtarake turke në një ditë që kur Ankaraja nisi operacionet e saj ushtarake në Siri në muajin gusht. 
 
Ushtria turke tha se në luftime, “Shteti Islamik” përdori shumë kamikazë dhe se mbi 130 militantë të këtij grupi terrorist u vranë, megjithëse ky bilanc nuk mund të vërtetohet në mënyrë të pavarur. 
 
Ndërsa beteja për Alepon duket se tashmë është mbyllur në praktikë, pasi qyteti po bie në duart e qeverisë, lufta për qytetin Al-Bab është përshkallëzuar ndjeshëm. Ky qytet strategjik gjendet 20 km larg kufirit turk dhe është objektivi i ofensivës turke prej 4 muajsh, e cila synon të zmbrapsë forcat e ISIS-it dhe ato kurde.
 
Sipas Turqisë, operacionet e saj i kanë shkaktuar humbje të mëdha “Shtetit Islamik” dhe se marrja e qytetit është çështje ditësh. Sidoqoftë, nuk është e qartë sa thellë në Siri është e gatshme të ndërhyjë Turqia dhe nëse do të luajë ndonjë rol në operacionin e ardhshëm të dëbimit të ISIS-it nga kryeqyteti i tij “de facto” në Raka. 
 
Ndërkohë zëdhënësja e Komitetit ndërkombëtar, Ingy Sedky, ka thënë se disa mijëra njerëz kanë mbetur për t’u evakuuar më 22 dhjetor me disa dhjetëra autobusë dhe automjete më të vogla. Sipas Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, rreth 30 mijë njerëz janë larguar nga Alepo lindore prej javës së kaluar.
 
Evakuimi është duke u kryer në bazë të një armëpushimi që është arritur në mes të Rusisë dhe Turqisë, pasi forcat e presidentit sirian, Bashar al Assad, dhe aleatët e tij kanë marrë pjesë të mëdha të Alepos lindore nga rebelët. Ofensiva është kritikuar nga OKB, Shtetet e Bashkuara dhe organizatat për të drejtat e njeriut.
 
GAZMEND REXHEPI