Botë

Gjermani, 100.000 euro për kapjen e terroristit

22.12.2016 10:30

Autoritetet gjermane dyshojnë se terroristi i identifikuar me emrin Anis Amri, që sulmoi në një treg objektesh dekorative në Berlin...

Autoritetet gjermane dyshojnë se terroristi i identifikuar me emrin Anis Amri, që sulmoi në një treg objektesh dekorative në Berlin, mund të jetë larguar nga Gjermania menjëherë pas tragjedisë.
 
Policia gjermane  po bën kërkime masive për një tunizian, i dyshuar për sulmin me kamion në Berlin. Anis Amri, 24 vjeç, raportohet se ka qenë nën monitorim, nën dyshimet për planifikim të vjedhjeve për të blerë armë, por mbikëqyrja i është hequr për shkak të mungesës së provave.
 
Para se të hynte në Gjermani, ai ka qenë katër vjet në burg për zjarrvënie në Itali. Urdhri për arrest është lëshuar pasi leja e qëndrimit e Anis Amrit është gjetur në kamionin që është përplasur për turmën.
 
Autoritetet gjermane paralajmërojnë se ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm. Ato kanë ofruar shpërblim prej 100,000 eurosh për informacione që çojnë në arrestimin e tij. 
 
Anis Amri ishte një shtetas tunizian, i cili kishte mbërritur në Gjermani nga Italia në vitin 2015. Ai kishte aplikuar për azil dhe i ishte dhënë një leje e përkohshme qëndrimi deri sa të shqyrtohej plotësisht kërkesa.
 
Kjo ngjarja ka rritur edhe më tej pakënaqësinë e shfaqur nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve gjermanë, të cilët kanë nisur të kundërshtojnë të ashtëquajturën politikën e dyerve të hapura për emigrantët, që është aplikuar përgjatë viteve të fundit nga kancelarja, Angela Merkel. 
 
Ndërkohë, më herët, të tjera detaje dolën në dritë. Anis Amri kishte qëndruar për një periudhë të gjatë kohore në një banesë me një shtetas serb 36-vjeçar të quajtur Boban S.
 
Ky i fundit është arrestuar mbi akuzën e rekrutimit të të rinjve për llogari të “Shtetit Islamik”.
 
Për këtë arsye, hetuesit janë duke investiguar mundësinë që sulmi të jetë kryer përmes një planifikimi në grup. Në ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmjes e së hënës humbën jetën 12 persona, ndërkohë që mbetën të plagosur 48 të tjerë.
 
GAZMEND REXHEPI