Putin shpall hero ambasadorin e vrarë në Ankara
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka nënshkruar një dekret përmes të cilit e shpall ambasadorin rus, Andrei Karlov, si hero të Rusisë...

Ambasadori i vrarë në Turqi do të varroset në një ceremoni që organizohet për heronj në Rusi.
Zyrtarët e lartë të shtetit kanë bërë nderime pranë arkivolit të hapur me trupin e ambasadorit, Andrei Karlov, në një ceremoni që është mbajtur në ndërtesën e Ministrisë së Jashtme në Moskë, ndërsa aty të pranishëm kanë qenë edhe të afërmit e diplomatit të vrarë.
Diplomati i karrierës është qëlluar për vdekje derisa ishte duke folur në një galeri arti në Ankara, më 19 dhjetor, nga një person i cili më pas thirri “mos e harroni Alepon” dhe deklarime të tjera që dukej se i referoheshin përfshirjes ruse në luftën civile në Siri.
