Maqedoni

Përplasje mes VMRO-së dhe LSDM-së

22.12.2016 18:05

Kanë vazhduar edhe sot përplasjet në bllokun politik maqedonas mes VMRO-së dhe LSDM-së...

VMRO-DPMNE akuzon liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, se ai ka gënjyer gjykatën për një takim të  realizuar me ambasadorin italian vetëm e vetëm për ta anuluar seancën gjyqësore “Mitmarrje”, ku i akuzuari i parë është lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev. Sipas VMRO-DPMNE-së, takim i tillë nuk është realizuar.
 
Nga Partia e Gruevskit kërkojnë, siç thonë, që sjelljet e këtilla të Zoran Zaevit të ndërpriten. 
 
“Krimineli i aboluar, Zoran Zaev, sërish gënjeu pa ju dridhur qerpiku, vetëm e vetëm për ta stërzgjatur procesin gjyqësor për lëndën në fjalë, duke i kërkuar mito biznesmenit nga Strumica sipas principit të tij: një euro për kishën, një euro për Vicen. Ambasadori italian menjëherë e demantoi lajmin për një takim të tillë”,- tha Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
 
I menjëhershëm ishte reagimi i LSDM-së opozitare, duke përgënjeshtruar deklaratat e partisë së oponentit të tij politik, VMRO-DPMNE-së.
 
 LSDM kërkon nga bashkëpartiakët e Gruevskit dhe mediat të cilat përcjellin manipulimet e tilla të mos bien pre e gënjeshtrave të Gruevskit, i cili bën përpjekje brengosëse për ta larguar vëmendjen nga dështimi katastrofal në zgjedhje, pas të cilit nuk ka vend më në politikë për Nikolla Gruevskin.
 
“I ballafaquar me ndryshimet për të cilat votuan më shumë se 600 mijë qytetarë dhe proceset e filluara demokratike, Gruevski trillon tema inekzistente, andaj sot e kanë nxjerrë  për të gënjyer anëtarin  i partisë, Dragan Danev”,- thuhet mes tjerash në reagimin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë. 
 
GAZMEND KURTISHI