Botë

Xhafaj: vettingu, në binarët e Kushtetutës

22.12.2016 19:08

Gjykata Kushtetuese i hap rrugën zbatimit të vetingut,- një ndër ligjet kryesore të reformës në drejtësi,- i vendosur si kusht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian...

Gjatë mbledhjes së paradites ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për ta shpallur antikushtetues vetingun. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të ekzekutivit, Rama, i cili me anë të një statusi në FB shkruan: “E vonuan po s'e ndalën dot. Tani koha për të nisur zbatimin sa më parë!”. 
 
Ndërkaq, kreu i Komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, e cilëson “fitore për ata që e mbështesin ligjin, dështim për kundërshtarët”.
 
Partia Demokratike në një reagim zyrtar pohon se e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin e Vetingut. Megjithatë, ajo mbetet e shqetësuar  se ligji aktual do ta vendosë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve nën kontrollin e kryeministrit.
 
“Në kushtet aktuale, kur kryeministër është Edi Rama, i cili është i lidhur me krimin dhe është zhytur në korrupsion, kontrolli kryeministror i vettingut do ta thellojë korrupsionin dhe kapjen e drejtësisë nga politika”,- thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.
 
LULJETA NDOKA