MAQEDONI
Konkurs për punësimin e të rinjve dhe kategorive sociale
05.05.2014 18:11
Në gazetat ditore si dhe në ueb-faqen avrm.gov.mk, janë publikuar dy shpallje për punësime...

Në gazetat ditore si dhe në ueb-faqen avrm.gov.mk, janë publikuar dy shpallje për punësime: për personat e papunë dhe për punëdhënësit nga sektori privat edhe atë me masa për subvencionime për punësime dhe subvencionime për fëmijët pa prindër, bëjnë të ditur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Agjencioni për Punësim.
Të drejtë për aplikim kanë personat të cilët kërkojnë punë, personat prej moshës 50 deri në moshën 59 vjeçare, kategoritë e rrezikuara sociale, si dhe të rinjtë deri në moshën 29 vjeçare, por këtë herë përparësi të veçantë për t’u punësuar kanë fëmijët pa prindër, theksoi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
“Me këtë masë parashihet subvencionimi i vendeve të punës përmes përkrahjes financiare për secilin nëpunës nga këto kategori, ku Shteti do të subvencionojë me shumë prej 13 mijë denarësh në muaj, në periudhë 6 mujore. Punëdhënësi ka për obligim që personin ta mbajë në punë më së paku 12 muaj ose në vend të tij të punësojë persona tjerë të papunë të evidentuar në Agjencinë për Punësim”, tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
Nga Agjencioni për Punësim i ftojnë kompanitë të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të kontribuojnë sidomos për punësimin e fëmijëve pa prindër.
“Subvencionet për kompanitë nëse punësojnë persona të këtillë, do të zgjasin dy vite. Vitin e parë do të subvencionohen pagat minimale dhe 100% e kontributeve dhe vitin e dytë do të subvencionohet 100% e pagës minimale dhe 50% e kontributeve“, theksoi drejtori i Agjencionit për Punësim, Vllatko Popovski.
Buxheti vjetor për realizimin e kësaj mase kushton rreth 47 milion denarë. Gjatë këtyre viteve, deri më tani nëpërmjet masës për subvencionime janë punësuar rreth 4800 persona, theksojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
REJHANE BUSHI-METAJ
