MAQEDONI

Reshjet shkas për vërshime

05.05.2014 18:16

Dalja e ujit nga shtretërit e lumenjve, si dhe rrëshqitja dhe përmbytja e tokës bujqësore,..

Dalja e ujit nga shtretërit e lumenjve, si dhe rrëshqitja dhe përmbytja e tokës bujqësore, është bilanci i  fundit nga  reshjet e dendura  të shiut që e ka kapluar vendin.
 
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim informon se ujërat nëntokësore kanë nisur të dalin në sipërfaqe në disa zona të vendit.
 
Pjesa më e rrezikshme sipas kësaj drejtorie, është pjesa juglindore. Dalja e ujit nga shtretërit e lumenjve është regjistruar te lumi  Kumanovka, Crna Reka, lumit të Bregalnicës dhe Zletovës. Aty janë përmbytur mbi 40 hektarë tokë, ndërsa në një situatë të ngjashme janë edhe tokat pjellore në Shtip dhe Koçan. 
 
Zëvendës-drejtori i këtij dikasteri, Ekrem Zendeli, thotë se edhe pse gjendja momentale është nën kontroll, ai nuk përjashton mundësinë për përmbytje më masive nëse vazhdojnë reshjet edhe në ditët në vijim. Për momenti në gjendje stabile është lumi Vardar dhe nuk ka rrezik deri në këto momente për dalje të ujit nga shtrati në zonën e Pollogut.
 
“Pjesa më e rrezikshme është pjesa juglindore, ku reshjet kanë qenë më intensive dhe me kapacitet më të madh, për sa i përket pjesës perëndimore edhe atje kemi pasur reshje, mirëpo situata nuk është alarmante. Për sa i përket lumit Vardar, ai është në gjendje stabile dhe nuk kemi paraqitje të depërtimit nëpër fshatra ose qytete ku mund të bëjë probleme...”, theksoi  nga Zëvendës-Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ekrem Zendeli.
 
Në Komunën e Konçit, gjatë ditës së djeshme, ka ndodhur një fatkeqësi, ku ka rënë në ujë një fëmijë, por kjo sipas informatave të kësaj drejtorie, nuk bëhet fjalë për një fatkeqësi e cila nuk është shkaktuar nga dalja e ujit. 
 
Qytetarët e anketuar në përgjithësi janë të mendimit se kjo kohë sadopak ndikon në disponimin e tyre.
 
“Unë jetoj në periferi, në mal. Ata që jetojnë në qytet, atyre edhe zhegi edhe kjo koha me shi dhe lagështi i ndikojnë në shëndet. Mua personalisht jo..”, u shpreh një qytetarë.
  
“Vallai shumë depresiv, normal përnjëherë ka ndryshuar koha, shi po bjen”, tha një qytetar tjetër.
 
“Është pak rënd edhe mua këtë vit më ka ra gjaku në kokë, por ama mirë jam. Ma mirë të jetë kështu koha, por më keq për ata që janë të sëmurë prej zemrës dhe frymëmarrjes”, tha një qytetare.
 
"Ne jemi mësuar, unë jam prej Gjermanie dhe ne jemi mësuar me këtë kohë. Atje gjithmonë bie shi”, tha një qytetare tjetër.
 
Për parandalimin e situatave të jashtëzakonshme, Drejtoria për Menaxhim me Kriza, ka siguruar rreth 16 gjeneratorë, 250 pompa  për thithjen e ujërave, 12 mijë thasë me rërë dhe ka firmosur rreth 45 kontrata me kompanitë ndërtimore, që në raste të jashtëzakonshme t’i ndihmojnë këtij dikasteri me makineritë e tyre.
 
REXHEP QAMILI