Maqedoni
Organizata sindikale e “Jugohromit”, ankesë në Komisionin e shkallës së dytë; “Eco Guerilla”: jo rifillim me punë të “Jugohromit” pa filtra; Ahmeti: “Jugohromi” nuk do të hapet pa filtra
23.12.2016 16:38
Organizata sindikale e “Jugohromit” dorëzoi ankesë deri te Komisioni qeveritar i shkallës së dytë për ankesa...

Të punësuarit e “Jugohromit” kërkojnë që kombinati të hapet, në mënyrë që ata të mos mbesin pa punë. Nëse nuk zgjidhet çështja e tyre, sindikalistët thonë se do t’i radikalizojnë protestat e tyre.
“Kanë qenë të shurdhër institucionet, sikurse tani që dorëzuam ankesën lartë, mirëpo nuk u paraqit askush që ta pranojë, përveç që në arkiv që e dorëzuam, pra janë të shurdhër të gjithë, prandaj ne nuk na mbetet asgjë tjetër vetëm të marrim hapa të mëtutjeshëm, më radikalë, të protestojmë, të bllokojmë rrugët dhe presione të tjera”,- theksoi kryetari i Sindikatës së punëtorëve të “Jugohromit”, Bajram Amiti.
Të punësuarit e “Jugohromit” paralajmërojnë se nëse nuk marrin përgjigje pozitive, atëherë prej më 1 janar mbeten 700 persona pa punë në Maqedoni, prandaj apeluan deri tek organizatat joqeveritare që të mos manipulojnë popullatën.
Sipas sindikatës, organizatat joqeveritare me protestat e tyre arritën që punëtorëve të “Jugohromit” tua marrin bukën nga goja, derisa ndotja në Tetovë po qëndron e njëjtë.
Por, në lidhje me këtë ka reaguar Lëvizja “Eco Guerilla”, e cila dënon ashpër tendencat e udhëheqësisë së Kombinatit “Jugohrom” që Qeveria të anulojë vendimin për ndalesën e punës.
“Është kërkesë e papranueshme, e kundërligjshme, e rrezikshme dhe me pasoja fatale për gjithë banorët e Tetovës dhe rajonit. Duke krahasuar numrat, shihet qartë se përfundimisht pa “Jugohromin” ajri i Tetovës është 40% deri në 50% më pak i ndotur. Ne flasim me numra dhe fakte, ndërsa udhëheqësia e “Jugohromit” manipulon me mashtrime dhe shpifje”,- thuhet nga Lëvizja “Eco Guerilla”.
Ndërkohë, ministri i Ekologjisë, Bashkim Ahmeti, përsëriti qëndrimin se pa vendosjen e filtrave nuk do të hapet Kombinati “Jugohrom”. Sipas tij, shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm.
“Plotësisht i kuptoj hallet dhe kërkesat e të punësuarve të cilët sot protestojnë, dhe pikërisht qysh në ditën e parë pas sjelljes së vendimit për mbyllje të këtij kombinati, thash se ky vendim nuk ka qenë aspak i lehtë për t’u sjellë. Prandaj, edhe njëherë e përsëris dhe bëj apel që udhëheqsia e kombinatit urgjentisht dhe sa më shpejt të punojë në vendosjen e filtrave, që të mundet kombinati të punojë përsëri dhe punëtorët të kthehen në vendin e punës. Deri atëherë e inkurajoj udhëheqësinë e kombinatit që të gjejë një zgjidhje për kërkesat e punëtorëve deri në vendosjen e filtrave”,- theksoi ministri i Ekologjisë, Bashkim Ahmeti.
Prej nëntorit, “Jugohromi” i ka fikur furrat pas vendimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Ambientit, e cila potencoi se kompania i ka kaluar afatet për vendosje të sistemit për filtrim të shpërndarjes së gazrave të cilët e ndotin ajrin në rajon.
Prej atëherë, disa herë të punësuarit kanë protestuar me qëllim që fabrika t’i rindezë furrat, ndërkaq ata të kthehen në punë.
ERSAN PAJAZITI
