Botë
Itali, vritet në Milano vrasësi i Berlinit
23.12.2016 17:26
Personi i konsideruar si përgjegjës për sulmin në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, Anis Amri, ka mbetur i vrarë gjatë një shkëmbim zjarri me policinë në Milano...

Policia italiane bëri të ditur se gjatë patrullës së tyre ata gjetën Amrin në zonën Sesto San Giovanni, ku edhe u vra. Sipas informacioneve të para, ka qenë një kontroll normal rrugor rreth orës 03.00 të mëngjesit, ku policia fillimisht i kishte kërkuar ID e tij.
Ai ka refuzuar të identifikohet dhe menjëherë ka nxjerrë pistoletën dhe ka plagosur një nga agjentët. Menjëherë ka ndërhyrë agjenti tjetër i policisë italiane, i cili e ka qëlluar tunizian, duke e lënë të vdekur.
Pas ngjarjes së vrasjes, kryeministri italian, Paolo Gentiloni, ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka falënderuar Policinë italiane, forcat e armatosura dhe shërbimet e inteligjencës për punën e kryer në garantimin e sigurisë kombëtare dhe rendit publik.
“Vëmendja është maksimale, kërcënimet nuk duhen nënvlerësuar, por ç’ka ndodhi sot demonstron për qytetarët italianë se shteti ekziston e punon për sigurinë e tyre”,- theksoi kryeministri italian, Paolo Gentiloni.
Falënderime ndaj autoriteteve italiane kanë ardhur sot edhe nga Ministria e Brendshme gjermane dhe nga kancelaria, Angela Merkel.
Ndaj Anis Amrit ka qenë e lëshuar flet arrest si i dyshuar kryesor që ka drejtuar kamionin në tregun e Berlinit, ku la të vdekur 12 persona dhe plagosi 48 të tjerë.
Anis Amri, para se të shkonte në Gjermani, disa vite kishte jetuar në Itali.
GAZMEND KURTISHI
