Maqedoni
Rivotimi në Tearcë, nesër heshtje zgjedhore, të dielën rivotohet
23.12.2016 17:43
Në mesnatë fillon heshtja zgjedhore për zgjedhjet në Tearcë, e cila do të zgjasë deri të dielën e 25 dhjetorit, në orën 19:00...

Në mesnatë fillon heshtja zgjedhore për zgjedhjet në Tearcë, e cila do të zgjasë deri të dielën e 25 dhjetorit, në orën 19:00, ka bërë të ditur Agjencia për shërbime audio dhe audio-vizuele pas vendimit të KShZ-së për rivotim në vendvotimin 2011 në Tearcë.
Gjatë kohës së heshtjes zgjedhore ndalohen të gjitha format e prezantimit në media të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore. Po ashtu KShZ ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në Tearcë.
“714 votues të evidentuar në regjistrin zgjedhor në vendvotimin 2011 do të mund ta realizojnë të drejtën e tyre të votës në përsëritjen e zgjedhjeve më 25 dhjetor. Fletëvotimi do të jetë i njëjtë si më 11 dhjetor, ashtu si edhe regjistri i votuesve”,- u tha nga KShZ.
Votuesit do të kenë mundësi të zgjedhin për 10 listat e partive dhe koalicioneve pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme, megjithëse interesim më të madh për këto zgjedhje kanë LSDM dhe VMRO-DPMNE, pasi rezultati i tyre do të ndikojë drejtpërdrejtë në mandatet e deputetëve.
Rivotimi do të monitorohet edhe nga sektori joqeveritar, përfshirë Qendrën për liri “Civil”, e cila tanimë ka vendosur vëzhgues në kjomunën e Tearcës, të cilët e vëzhgojnë situatën në këtë komunë.
GYLTENE SINANI
