Maqedoni
Ahmeti fton në takim liderët shqiptarë, BESA pret ftesë zyrtare, LR PDSh konfirmon pjesëmarrjen
23.12.2016 18:04
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ftuar të gjithë kryetarët e partive politike shqiptare në një takim të përbashkët për të shtunën...

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ftuar të gjithë kryetarët e partive politike shqiptare në një takim të përbashkët për të shtunën, njoftojnë nga kjo parti.
Takimi do ketë për qëllim bashkërendimin e qëndrimeve rreth një platforme të përbashkët të shqiptarëve dhe koordinimin paraprak para se të bisedohet me cilëndo parti politike maqedonase e cila do të marrë mandatin për Qeverinë e ardhshme, njoftojnë nga kjo parti.
Ndërkaq, Orhan Murtezani nga Lëvizja BESA njofton se ky subjekt akoma nuk ka pranuar ftesë zyrtare për takimin e së shtunës, teksa ftesën publike do ta shqyrtojnë në mbledhjen e kryesisë qendrore të partisë.
Nga ana tjetër, LR-DPSh mbetet në qëndrimin që përkrah iniciativat e këtilla për realizimin e interesave madhore të shqiptarëve. Nga kjo parti thonë se kryetari i saj do të marrë pjesë në takimin e së shtunës të ftuar nga kreu i BDI-së.
Edhe nga UNITETI thanë se mbeten në qëndrim të njëjtë si partneri i tyre i koalicionit, se mbështesin idenë për krijimin e një platforme të përbashkët të shqiptarëve.
Ndërkohë, edhe përpos tentimit të redaksisë, nuk arritëm të marrim qëndrimin e Partisë Demokratike Shqiptare rreth takimit të liderëve partiak për të shtunën.
NAIM RAMADANI
