Maqedoni

Zaev: pres qytetarët të dalin në rivotim; Milloshovski: rivotimi në Tearcë, tentim për manipulim

23.12.2016 18:21

Dy ditë para mbajtjes së rivotimit në Tearcë, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka deklaruar se përbërja e re e kuvendit do ta mbrojë dhe realizojë vullnetin e qytetarëve të Maqedonisë...

Ai po ashtu është optimist se opozita do të formojë qeverinë e re, pasi, siç tha ai, qytetarët e Maqedonisë votuan për reforma. Zaev tha se ndryshimi eventual i mandateve pas zgjedhjeve në Tearcë nuk ndryshon atë se kush do ta formojë qeverinë, pasi proceset demokratike në Maqedoni tanimë kanë filluar, pasi qytetarët më 11 dhjetor votuan për ndryshime dhe askush nuk mund t’i pengojë ata.
 
“Pres që qytetarët të dalin dhe të votojnë për atë që ata vlerësojnë se është me rëndësi. Gjithsesi, përcaktimi dhe vota e tyre do të respektohet nga ana jonë, sido që të votojnë. Pres që të gjitha partitë politike të dëshmojnë vetëdije në sjellje, sidomos pasi bëhet fjalë për një vendvotim. Maqedonia do të vlerësohet edhe për këtë vendvotim. Është me rëndësi që procesi zgjedhor të përfundojë i rregullt dhe kredibil”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Por, kështu nuk mendon Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE, sipas të cilit populli i Tearcës, pa marrë parasysh vendimin e kësaj partie për mospjesëmarrje në zgjedhje, nuk do ta mbështesë LSDM-në. 
 
“Po përpiqen me disa rivotime të manipulojnë apo të krijojnë kushte për falsifikimin e vullnetit të popullit, por VMRO-DPMNE është e sigurt se edhe populli në Tearcë, pa marrë parasysh qëndrimin tonë zyrtar, është më i pjekur se zotri Zaev dhe do ta fitojë edhe atje ku duhet rivotuar. Është koha e fundit t’i pranosh rezultatet zgjedhore, populli të dëgjoi dhe të lexoi, dhe populli të dha disfatë”,- theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
Edhe VMRO edhe LSDM pretendojnë se pas përmbylljes së procesit zgjedhor do të marrin mandatin për formimin e qeverisë së re.
 
REJHANE BUSHI-METAJ