MAQEDONI

Deputeti i RDK-së nuk do të pranojë mandatin

05.05.2014 18:23

Rilindja Demokratike Kombëtare do të kthejë mandatin e vetëm që fitoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare...

Rilindja Demokratike Kombëtare do të kthejë mandatin e vetëm që fitoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
 
Në takimin e një dite më parë, Kuvendi Qendror i kësaj partie, në pajtim me qëndrimin për mospranimin e legjitimitetit demokratik të zgjedhjeve parlamentare, ka marrë vendim që të dorëzojë mandatin e deputetit të fituar në njësinë zgjedhore numër gjashtë.
 
Kuvendi Qendror i RDK-së ka obliguar të gjithë kandidatët e nominuar në njësinë zgjedhore numër gjashtë, të nënshkruajnë deklaratën për dorëzim të mandatit, pasi vlerëson se mandati është fituar në emër të RDK-së dhe vendimmarrja për mandatin i takon Kuvendit Qendror të RDK-së.
 
Dorëheqjet e nënshkruara duhet të depozitohen në Komisionin Qendror Zgjedhor brenda tre ditësh.  
 
Edhe për RDK-në do të ndiqet e njëjta procedurë si për LSDM-në, thotë nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi. Sipas tij, dorëheqje mund të depozitojë kandidati që ka fituar mandatin dhe pastaj secili kandidat veç e veç kur t’i vijë radha. 
 
“Ne duhet të zbatojmë normat ligjore të Kodit Zgjedhor, nëse e njëjta ndodh edhe me RDK-në, atëherë e njëjta procedurë do të ndiqet edhe për të”, deklaroi nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.
 
RDK ende nuk ka një vendim të prerë për formën e veprimit të mëtutjeshëm politik, një vendim i tillë do të merret në mbledhjen e radhës të Kuvendit Qendror të RDK-së.   
 
“Obligohet Këshilli i përkohshëm Drejtues, që të konvonkon mbledhje të veçantë të Kuvendit Qendror të RDK-së, në të cilën do të diskutohen hapat e mëtejmë të veprimit të RDK-së në të gjitha nivelet e funksionimit në nivel partiak dhe të përfaqësimit të pushtetit komunal”, shkruhet në komunikatën e lëshuar nga RDK.
 
SHPËTIM  NUREDINI