Botë
Putin mbajti pres konferencën e fundvitit
23.12.2016 19:50
Në Moskë është mbajtur konferenca tradicionale e presidentit rus, Vladimir Putin...

Në këtë konferencë këtë vit kanë marrë pjesë gjithsej 1.437 gazetarë të mediave vendore dhe atyre të huaja.
Seria e pyetjeve dhe përgjigjeve maratonike janë një mundësi e rrallë për mediat të bisedojnë drejtpërsëdrejti me shefin e shtetit rus në tema të ndryshme. Për shkak të ngjarjeve të javës së kaluar, si temë kryesore në konferencë ishte politika e jashtme, roli i Rusisë në Siri dhe marrëdhëniet me ShBA-të.
Putin gjithashtu foli edhe për ekonominë ruse, e cila, sipas tij, ka shënuar rritje.
Ai gjithashtu ka mohuar se procesi zgjedhor në ShBA ka qenë i hakuar nga Rusia, duke theksuar para publikut se nuk është me rëndësi kush e ka bërë atë, por çka është zbardhur nga ai rast. Putin ka shprehur gatishmëri për marrëdhënie konstruktive me presidentin e sapozgjedhur amerikan Trump.
“Shumë do të doja me presidentin e sapozgjedhur dhe me liderët e ardhshëm të Partisë Demokratike të ndërtojmë marrëdhënie konstruktive dhe afariste të cilat do të jenë në interes të ShBA-së, të Federatës ruse dhe të popujve të dy vendeve”,- deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Putin ka folur edhe për angazhimet ushtarake të Rusisë, duke thënë se qeveria e ShBA-së ka krijuar kushte për një garë të re të armatimit, ndërsa Rusia vetëm ka reaguar në këto provokime.
“Nuk kemi shkelur asgjë. Sistemi rus është shumë efikas për atë edhe ShBA-të ngurrojnë ta përmirësojnë të tyrin. Nëse ndokush nxit garë për armë bërthamore, atëherë ato nuk jemi ne”,- tha presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Për atentatin ndaj ambasadorit rus në Turqi, Putin ishte decid, duke thënë se nuk do të përkeqësohen marrëdhëniet bilaterale edhe pse kjo tragjedi ishte sulm ndaj Rusisë dhe marrëdhënieve ruso-turke. Ai gjithashtu tha se sa i përket ngjarjeve në Siri, rol kryesor ka Ankaraja.
Sipas tij, Rusia dhe Turqia, së bashku me Iranin dhe presidentin sirian, Bashar Al Asad, kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e negociatave paqësore për Sirinë në Astana të Kazakistanit.
GAZMEND KURTISHI
